Nëse keni sukses dhe ju pëlqen, në çdo pastrim vijues merrni me vete pajisjet dhe muzikë të mirë
Është pranverë, kurse ju po mendoni për detoksifikimin e trupit, se si të humbisni disa kilogramë, të ndriçoni shtëpinë, të rregulloni kopshtin tuaj… Është mirë të ndiqni atë që ju pëshpërit instinkti, sepse trupi dhe truri juaj zgjohen së bashku me natyrën.
Por, a keni menduar ndonjëherë që ritualet tuaja të pastrimit t’i plotësoni me disa ushtrime? Duke rregulluar shtëpinë ose kopshtin, mund të rregulloni edhe trupin, të përmirësoni shëndetin, të freskoni trurin, për të mos përmendur që do t’ju mbetet kohë edhe për të lexuar një libër ose për të shijuar një film të mirë.
Ja disa këshilla si t’i shndërroni obligimet tuaja pranverore në stërvitje efektive:
Bëni “Squats” ndërsa rregulloni: Pavarësisht nëse jeni duke organizuar dollapët ose duke pastruar garazhin, shfrytëzoni çdo mundësi për të bërë ulje duke përthyer gjunjët. Në vend që të përkuleni për të marrë sendet nëpër shtëpi, uluni në formën e duhur, duke shtrënguar trupin, të pasmet dhe ijët. Ushtrimi mund të bëhet edhe derisa palosni rroba. Në këtë mënyrë, do të forconi muskujt e pjesës së poshtme të trupit dhe do të përmirësoni lëvizshmërinë dhe elasticitetin.
Bëni hapа ndërsa pastroni pluhurin: Ndërsa lëvizni nga dhoma në dhomë duke pastruar pluhurin, bëni pjesë të rutinës suaj këtë ushtrim të dobishëm. Bëni një hap të shkurtër e të thellë përpara (këmba e përparme është e kthyer në gju, shputa është e rrafshët, ndërsa këmba e pasme është e kthyer nga pas) dhe fshini me leckë, më pas ndërroni këmbën tjetër dhe vazhdoni me pastrimin. Shtrirje të tilla forcojnë kuadricepsin, ligamentet, vithet dhe formësojnë pjesën e poshtme të trupit. Kushtoni vëmendje që të mbani shpinën drejt.
Ushtrime për krahët me mjetet e pastrimit: Përdorni fshesën me korrent, fshesën ose shtupën, për të aktivizuar në mënyrë plotësuese krahët dhe shpatullat. Gypi i fshesës me korrent, gjegjësisht, pjesa më e rëndë metalike, është e shkëlqyeshme për forcimin e bicepsit tuaj, prandaj le t’ju shërbejë si peshë. Mbani shkopin e fshesës ose shtupës nën sqetulla për të zgjatur shpatullat dhe krahët, të cilët janë më të ngarkuarit gjatë pastrimit.
Intervalet kardio ndërmjet punëve: Rrisni intensitetin e stërvitjes tuaj duke shtuar sekuenca të shkurtra kardio midis punëve. Vraponi në vend, kërceni duke tundur krahët lart sipër kokës ose marshoni nëpër shtëpi për disa minuta për të rritur rrahjet e zemrës dhe për të djegur kalori shtesë. Kjo jo vetëm që rrit shëndetin tuaj kardiovaskular, por shton një dinamikë argëtuese në rutinën tuaj të pastrimit.
Zgjatuni ndërsa pastroni: Ndërsa fërkoni sipërfaqet e kuzhinës, pllakat e banjës ose mobiljet, bëni pushime të shkurtra për të shtrirë muskujt tuaj. Ndërsa tentoni të pastroni sipërfaqet lart sipër jush ose sipërfaqet e gjata horizontale, shtrini mirë shtyllën kurrizore dhe bëni kthesa të lehta me trupin majtas dhe djathtas për të reduktuar tensionin dhe për të përmirësuar qëndrimin. Zgjatni edhe krahët dhe në fund punoni me belin duke i rrotulluar ijet në formë rrethore. Shtrirja përmirëson qarkullimin dhe zvogëlon rrezikun e ngurtësimit dhe lëndimit.
Lëvizje dhe frymëmarrje e kujdesshme: Qasja juaj ndaj stërvitjes pranverore, e cila përfshin edhe “pastrimin me themel“, duhet të jetë shumë e kujdesshme, duke pasur parasysh dy aktivitetet fizike që do të duhet të kryeni në të njëjtën kohë. Prandaj, është e nevojshme të jeni vazhdimisht të vetëdijshëm për frymëmarrjen, pulsin dhe sinjalet që ju jep trupi juaj. Praktikoni ushtrime për frymëmarrje të thellë ndërsa punoni, duke marrë frymë thellë përmes hundës dhe duke nxjerrë ngadalë frymën përmes gojës. Kjo nxit relaksimin, redukton stresin dhe përmirëson mirëqenien tuaj të përgjithshme.