Stimulime për një tru të shëndetshëm

Stimulime për një tru të shëndetshëm

Mundësitë e shumta të ditëve të sotme e dobësojnë trurin! Zvogëlimi i zgjedhjes është një taktikë neurologjike e cila përdoret për të ruajtur fuqinë e trurit

A keni menduar ndonjëherë se pse disa njerëz preferojnë të veshin të njëjtën veshje çdo ditë? Le të fillojmë me Mark Zukerberg (pronar i Facebook) dhe bluzën e tij, të ndjerin Stiv Xhobs (pronar i Apple) dhe bluzën e zezë, ose Albert Ajnshtajn për të cilin besohet se ka pasur disa kostume identike me ngjyrë gri.

Në asnjërin nga këto raste nuk bëhet fjalë për mungesë imagjinate, kreativiteti, e të mos përmendim fare paratë. Kjo sjellje është një formë e “zvogëlimit të zgjedhjes”, një taktikë neurologjike që përdoret për të ruajtur fuqinë e trurit.

Nëse sapo ngriheni nga shtrati përballeni me vendimin se çfarë të vishni, çfarë të sillni në punë për të ngrënë, si të arrini deri në zyrë, ju po e ngarkoni trurin tuaj akoma pa filluar me punë“, thotë Dr. Tara Suart, neuroshkencëtare.

“Një ritual mëngjesi i planifikuar me kujdes, e zvogëlon numrin e zgjedhjeve që truri duhet të bëjë pas zgjimit, dhe në këtë mënyrë ai kursehet për gjëra më të rëndësishme”, shton ajo.
Teknikën e mbrojtjes së trurit nuk e përdorin vetëm gjigantët e luginës së Siliciumit. Nevoja për të kuptuar më mirë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për sëmundjet degjenerative si Alzheimer, është fokusi kryesor në përmirësimin e funksionit njohës.

Gjithçka varet nga mënyra e jetesës – gjumit cilësor të mjaftueshëm (Suart këshillon 7 deri në 9 orë gjatë natës), ushtrimeve fizike dhe menaxhimit të stresit – por, ekzistojnë kërcënime të tjera, më serioze që duhet t’u kushtohet vëmendje.

Multitasking-un (kryerjen e më shumë aktiviteteve në të njëjtën kohë) nuk duhet parë si talent. Kjo e vendos trurin në një gjendje shpërqendrimi të vazhdueshëm, gjë që çon në rraskapitje mendore kronike”, paralajmëron Suart.

Institucionet kryesore të shëndetit të trupit dhe mendjes në mbarë botën tashmë po krijojnë qendra që synojnë “pastrimin e trurit të mjegullt”. Për shembull, „Sha Wellness“ në Spanjë përfaqëson një spa mjekësor të fokusuar në përmirësimin kognitiv dhe ofron diagnostikime dhe terapi të avancuara për të rritur kapacitetin mendor. Ndërkohë, në Arizona, një ekip i tërë ekspertësh në „Life Enhancement Center“ ndihmon vizitorët të përmirësojnë kujtesën, përqendrimin dhe të gjitha funksionet e tjera të trurit.

Sipas nutricionistes Rozmari Ferguson, mund të bëni shumë edhe në shtëpi pa shkuar në një qendër për rehabilitim të trurit.

Ekziston një materie ushqyese e quajtur acetilkolina e cila është thelbësore për shëndetin e trurit. Bëhet fjalë për një neurotransmetues i cili është i nevojshëm për kujtesën, përqendrimin dhe koordinimin”, thotë ajo.

Acetilkolinën mund ta merrni përmes ushqimeve të tilla si vezët, lakrat e Brukselit dhe lakra, ose si një suplement për të mbështetur trurin në situata të rraskapitjes mendore.

Dr. Suart rekomandon shmangien e produkteve të tymosura, pasi ato nxisin oksidimin që përshpejton ciklin natyral të jetës së qelizave të trurit dhe në këtë mënyrë shkakton vdekjen e tyre të parakohshme. Njëkohësisht, ajo këshillon shtimin e produkteve që kanë efekt të fortë hidratues, si kastraveci, shalqiri, pjepri.

Ndoshta mendoni se të luash videolojëra është humbje kohe kot, por studimet tregojnë se lojërat janë një stimulim i shkëlqyeshëm i trurit, veçanërisht nëse ky është një aktivitet i ri për ju.
Në një studim hulumtues, si pjesëmarrësit më të rinj ashtu edhe ata më të vjetër, i përmirësuan rezultatet e tyre në testet e kujtesës pasi filluan të luanin videolojëra çdo ditë.

Në studim, grupe studentësh dhe të moshuar në të shtatëdhjetat dhe tetëdhjetat, u trajnuan për të luajtur videolojën popullore Super Mario 3D World ose lojën dydimensionale Angry Birds, gjysmë ore në ditë për dy javë.

Para dhe pas periudhës së lojës, pjesëmarrësit kanë bërë test kujtese të krijuar për të aktivizuar hipokampusin – një pjesë e trurit që stimulohet kur lundroni në një mjedis të panjohur dhe është i rëndësishëm për krijimin e kujtimeve të reja.

Në të dyja grupmoshat, personat që luajtën „Super Mario“ i përmirësuan rezultatet e testimit me afërsisht 12 për qind. Rezultati përkeqësohet me të njëjtën përqindje te personat e moshës 45 deri në 70 vjeç.

Ekipi hulumtues zbuloi përfitime njohëse të ngjashme nga luajtja e lojës në internet Minecraft, e cila nënkupton ndërtimin e një bote të re sipas krijimit tuaj.
Rezultatet e testit nuk u përmirësuan te pjesëmarrësit e studimit të cilët luanin lojëra më të thjeshta si Angry Birds.

Rezultatet nga videolojërat tregojnë se një përvojë e re dhe e pasur për njeriun mund të ketë të njëjtat efekte pozitive ndaj trurit që tashmë janë konfirmuar në studimet e bëra te kafshët.
Kur u japim kafshëve diçka të re për të bërë, për të eksploruar dhe luajtur, shohim përmirësime në zonat e trurit që lidhen me kujtesën, siç është hipokampusi”, thotë udhëheqësi i studimit Kreg Stark, mjek dhe profesor i neurobiologjisë në Universitetin e Kalifornisë.

Humbja e kujtesës te personat e moshuar mund të ketë lidhje me faktin se ata zakonisht nuk janë të ekspozuar ndaj gjërave të reja. “Ndërsa plakemi, shpesh bëjmë një jetë më pak të pasur dhe interesante”, thotë Dr. Stark.

Lajmi i keq është se përmirësimi i kujtesës nëpërmjet videolojërave nuk ka tendencë të zgjasë shumë pasi pjesëmarrësit ndalojnë së luajturi lojën rregullisht, por mund të zvogëlohet edhe nëse njerëzit vazhdojnë të luajnë, sepse lojërat bëhen më të lehta dhe më pak sfiduese.

Pra, ajo që mësuam është se hulumtimi i një bote të re, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për një videolojë apo realitet, është një mënyrë vërtet e mirë për t’i dhënë hipokampusit tuaj një mori gjërash të reja për të mësuar,” thotë Dr. Stark.

Nëse jeni të shqetësuar për shikimin tuaj për shkak të ekspozimit të tepërt ndaj dritës blu të ekraneve, gjithmonë e keni fjalëkryqin ose sudokun e vjetër dhe të mirë për të stimuluar trurin tuaj.

Ju gjithashtu mund të përmirësoni shëndetin e trurit duke praktikuar një aktivitet të ri fizik“, thotë Hoze Pozas, doktor shkencash dhe neurolog sportiv nga New Orleans.

Stërvitja është ushqim për muskujt, zemrën dhe mushkëritë, por gjithashtu është ushqim edhe për trurin, sepse ai e percepton si një përvojë të re”, thotë doktor Pozas.

Nëse vraponi, provoni të notoni. Nëse jeni notues, provoni të bëni çiklizëm.

Pranimi i informatave të ndryshme nga fijet proprioceptive – ato i tregojnë trurit se ku ndodhet trupi juaj në hapësirë ​​– dhe fijet vestibulare – ato tregojnë se ku është koka juaj në hapësirë ​​- e ndalon trurin nga bllokimi“, shpjegon Dr. Pozas.