Shkaqet, simptomat dhe si të përkujdeseni për to?
Thembrat e plasaritura dhe të thata janë një dukuri e zakonshme e cila, jo vetëm që duket e pakëndshme për syrin, por gjithashtu mund të shkaktojë infeksione nëse nuk trajtohet në kohë. Dimri e përkeqëson më tej këtë gjendje, sepse tharja thellohet, kështu që përveç ndjesisë së pakëndshme, mund të shkaktojë edhe dhimbje. Por, nga ana tjetër, dimri është stina ideale për t’u kujdesur për thembrat tuaja dhe për të përmirësuar pamjen e tyre deri në pranverë.
Shkaqet për thembra të plasaritura dhe të thata
Thembrat e plasaritura dhe të thata shpesh janë rezultat i:
Mungesës së hidratimit: Lëkura e thembrave shpesh nuk merr lagështi të mjaftueshme, veçanërisht nëse nuk përdorni kremra ose vajra hidratues. Kjo mund të jetë veçanërisht e theksuar në muajt e dimrit kur ajri është i thatë.
Kushteve të ftohta dhe të thata: Temperaturat e dimrit dhe lagështia e ulët krijojnë kushte që çojnë në tharjen e lëkurës. Tharja e lëkurës rrit brishtësinë e saj dhe shkakton plasaritje.
Këpucëve të papërshtatshme: Veshja e këpucëve të ngushta dhe të papërshtatshme mund të shkaktojë fërkime dhe presion mbi thembra, duke e përkeqësuar gjendjen më tej.
Përkujdesit jo të duhur: Përkujdesi dhe eksfolimi jo i rregullt mund të rezultojë me akumulimin e qelizave të vdekura të lëkurës, gjë që rrit gjasat për plasaritje.
Të ushqyerit e gabuar: Ushqimi pa vitamina dhe minerale të mjaftueshme, veçanërisht vitaminat A, E dhe acidet yndyrore omega-3, mund të ndikojë në shëndetin e lëkurës dhe ta bëjë atë të ndjeshme ndaj tharjes.
Plakjes: Ky proces natyral sjell një reduktim të elastinës në këmbë, e cila në vetvete është në mungesë në këtë pjesë të lëkurës. Si rezultat, elasticiteti zvogëlohet dhe shfaqen plasaritje edhe gjatë presionit më të vogël në këmbë.
Qëndrimit të gjatë në këmbë dhe mbipeshës: Thembrat plasariten më lehtë te njerëzit puna e të cilëve lidhet me qëndrimin në këmbë, sepse lëkura është e ekspozuar ndaj presionit të vazhdueshëm dhe me kalimin e kohës ajo e humb elasticitetin. Nëse për më tepër, pesha juaj trupore është e padurueshme për thembrat, ato do ta tregojnë qartë përmes plasaritjeve.
Simptomat e thembrave të plasaritura
- Ndjenja e shtrëngimit në zonën e thembrës.
- Plasaritje në lëkurë, shpesh të thella.
- Skuqje dhe inflamacion rreth zonave të plasaritura.
- Dhimbje ose parehati gjatë ecjes.
- Në rastet më të rënda, edhe infeksion.
Përbërësit e kujdesit ndaj thembrave
Ekzistojnë shumë përbërës që mund të ndihmojnë në hidratimin dhe shërimin e thembrave të plasaritura, por këta 5 kanë efekt më të shpejtë dhe për kohë më të gjatë:
Vaji i kokosit: I njohur për vetitë e tij hidratuese dhe antibakterore, vaji i kokosit ndihmon në hidratimin e lëkurës së thatë dhe krijon pengesë kundër humbjes së lagështisë.
Glicerina: Ky hidratues tërheq lagështi në lëkurë dhe ndihmon në përmirësimin e elasticitetit të saj. Është veçanërisht i dobishëm për trajtimin e zonave të thata.
Ureja: Ky përbërës është i shkëlqyeshëm për hidratim dhe ndihmon në largimin e qelizave të vdekura të lëkurës, duke e bërë lëkurën më të qëndrueshme dhe më të butë.
Mjalti: Ka veti natyrale antibakterore dhe ndihmon në hidratimin e lëkurës. Mjalti mund të jetë i shkëlqyeshëm për trajtimin e plasaritjeve dhe ruajtjen e lagështisë së lëkurës.
Lëngu i limonit: Acidet e tij ndihmojnë në zbardhjen e lëkurës dhe largimin e qelizave të vdekura, gjithashtu mund të ndihmojnë edhe në parandalimin e infeksioneve.
Maskë për thembra e përgatitur në kushte shtëpie
Përbërësit:
- 2 lugë vaj kokosi
- 1 lugë mjaltë
- 1 lugë glicerinë
- 1 lugë gjelle lëng limoni
Udhëzim:
Në një enë bashkoni të gjithë përbërësit dhe përzieni mirë. Aplikoni përzierjen në thembra të thata dhe të plasaritura, duke u përqendruar te plasaritjet. Lini maskën të veprojë për 20-30 minuta, duke i mbështjellë këmbët me mbështjellës plastik dhe duke veshur çorape më të trasha.
Shpëlani me ujë të ngrohtë dhe fshini butësisht këmbët. Për rezultate më të mira, përsëritni këtë maskë dy deri në tri herë në javë.