Si çdo ndryshim tjetër i madh në jetë, ashtu edhe pensionimi shkakton një stuhi emocionesh të përziera frike, paniku, pasigurie, nervozizmi, gëzimi. Tani jeni përsëri fëmija që duhet të shkojë në shkollë për herë të parë, ose ai i riu i cili me vetëbesim të madh dhe emocione mes shtrëngimit të gishtave hyn në zyrën e tij për herë të parë.
Po, duhet kohë për t’u përshtatur me jetën tuaj të re, edhe pse ajo do të zhvillohet brenda mureve tashmë të njohura pa pasur nevojë t’i jepni llogari askujt për vonesën. Prandaj, jepini vetes kohë për të vendosur një rend të ri dhe rituale sipas të cilëve do të jetoni.
Faza 1: Para pensionimit
Faza para daljes zyrtare në pension është e dëshirueshme për çdo punonjës i cili me vështirësi i përjeton ndryshimet. Kolegët e burimeve njerëzore do t’ju këshillonin që ta filloni këtë fazë 5 deri në 10 vjet përpara daljes në pension. Gjatë kësaj periudhe, shumë njerëz fillojnë të zhvendosin fokusin e tyre nga avancimi i karrierës në planifikimin financiar për daljen në pension. Është një ide e mirë të filloni të kurseni, sepse pensioni juaj me siguri do të jetë më i ulët se të ardhurat tuaja.
Përveç aspektit financiar, është mirë t’i kushtohet rëndësi edhe aspektit emocional të pensionimit. Kjo është faza kur është e dëshirueshme të përcaktoni pritshmëritë e ditëve të lira dhe atë që besoni se do t’ju bëjë të lumtur dhe t’ju përmbushë. Ndoshta do të dëshironi të punoni gjatë viteve të para, të filloni ndonjë hobi që do t’ju sjellë të ardhura ose thjesht të kujdeseni për nipërit dhe mbesat.
Kjo fazë është plot emocione dhe pritje për kapitullin tjetër të jetës, por gjithashtu mund të jetë e mbushur me shqetësime dhe dyshime – kështu që, planifikimi financiar dhe emocional mund ta bëjë shumë më të lehtë kalimin nga personi i angazhuar në person me shumë kohë të lirë.
Faza 2: Muaji i mjaltit
Do ta përjetoni edhe atë ditë, ditën e lirisë. Nuk ka më zgjim herët, vrapim pas autobusit, betejë me përgjegjësitë e shumta në një kohë të shkurtër. Në këtë fazë do të ndjeni emocione të mëdha, një ndjenjë lirie, krenarie dhe kënaqësie me veten që keni arritur kaq larg dhe do të liroheni nga stresi që shkaktojnë ditët e punës – të gjitha këto ndjenja zgjasin nga 1 deri në 2 vjet, por mund të zgjasin shumë më gjatë, në varësi të gjendjes suaj mendore dhe mënyrës se si zgjidhni ta kaloni kohën tuaj. Nëse “elektrizoheni” pozitivisht, do të kuptoni se tani mund të rilidheni me miqtë, familjen, partnerët, të shijoni hobet dhe interesat tuaja, të udhëtoni dhe të shëtisni, thjesht të shijoni mundësinë për të bërë gjithçka që dëshironi.
Faza 3: Zhgënjimi
Pas përfundimit të muajit të mjaltit, euforia fillon të zvogëlohet. Liria nuk është më aq e ëmbël, por fillon të bëhet e mërzitshme. Vitet e kaluara në pritje papritmas do të duken krejtësisht zhgënjyese. Sa më pak nga qëllimet e radhitura më sipër arrini të realizoni, aq më i madh do të jetë zhgënjimi juaj. Prisni që t’ju pushtojë ndjenja e vetmisë, mërzisë, pakuptimësisë dhe mungesës së qëllimit.
Faza 4: Zbulimi i vetes
Ashtu si çdo fazë tjetër e jetës, në fund do të filloni të përshtateni me rrethanat tuaja të reja dhe ta jetoni në mënyrë aktive përditshmërinë tuaj të re. Kjo është pjesa më e vështirë e pensionimit, sepse procesi i rizbulimit të qëllimit tuaj dhe vërtetimit se kush jeni, kërkon kohë dhe shumë përpjekje të vetëdijshme. Edhe pse kjo është faza më delikate, në të njëjtën kohë është edhe shëruese edhe e këndshme.
Kjo është koha për të provuar gjëra të reja, për të gjetur hobi të reja dhe për ta gjetur përsëri qëllimin në jetë. Pa një punë me kohë të plotë dhe pa fëmijë apo nipër për të cilët duhet të kujdeseni, mund ta keni të vështirë të gjeni një qëllim. Por, është thelbësore të gjeni diçka që do të ndezë përsëri shkëndijën tuaj për përparim dhe njohuri të reja, mund të jetë vullnetarizmi, kopshtaria, shkrimi i një libri, kujdesi për nipërit tuaj ose thjesht shtimi i aktiviteteve argëtuese dhe interesante në rutinën tuaj të përditshme.
Faza 5: Stabiliteti
Faza e fundit e daljes në pension sjell një ndjenjë kënaqësie dhe lumturie nga mënyra e re e jetesës, të cilën papritur nuk do ta ndërronit me asgjë. Ndoshta mund të përshtateni me rutinën tuaj të re, duke bërë gjëra që i doni dhe që ju bëjnë të ndiheni të përmbushur. Gjithçka varet nga ju!