Larja e fytyrës – kur dhe sa shpesh duhet?
Jetojmë në një epokë të larjes së tepërt të fytyrës, prandaj është gjithnjë e më i madh numri i femrave me shtresë mbrojtëse të dëmtuar të lëkurës, që rezulton me tharje të dukshme, kurse në rastin më të keq dermatit. Por, në anën tjetër të historisë janë femrat të cilat nuk e lajnë fare fytyrën. Cili është veprimi i duhur?
Udhëzimet për larjen e fytyrës janë të ndryshme, por një gjë është e sigurt: Të gjithë duhet të lajnë fytyrën!
Larja e fytyrës është e nevojshme që lëkura të fillojë procesin natyral të eksfolimit dhe rigjenerimit. Nëpërmjet këtij hapi themelor, poret çlirohen nga papastërtitë dhe sebumi i tepërt, dhe janë gati të përthithin përbërësit aktiv të kremrave që aplikoni para gjumit.
Cila është frekuenca optimale për larjen e fytyrës? Përgjigja më e saktë do të ishte: Ajo që ruan një balancë midis pastërtisë dhe ekuilibrit natyral të lëkurës.
Njohja e llojit të lëkurës suaj
Frekuenca e larjes së fytyrës varet kryesisht nga lloji i lëkurës. Dermatologët theksojnë se lloje të ndryshme të lëkurës kanë nevoja të veçanta. Pavarësisht nëse keni lëkurë të yndyrshme, të thatë, të kombinuar ose të ndjeshme, përshtatja e rutinës së kujdesit ndaj lëkurës (duke përfshirë edhe larjen) me nevojat e lëkurës tuaj, është thelbësore për të arritur një pamje të shëndetshme.
Rekomandime profesionale
Dy herë në ditë për shumicën e llojeve të lëkurës: Një herë në mëngjes për të hequr yndyrat dhe tepricën e produkteve që kanë ndikuar gjatë natës; dhe një herë në mbrëmje për të pastruar papastërtitë, ndotësit dhe grimin e grumbulluar gjatë ditës.
Lëkurë e ndjeshme ose e thatë: Personat me lëkurë të ndjeshme ose të thatë mund të përfitojnë nga larja e fytyrës një herë në ditë, mundësisht në mbrëmje. Kjo ndihmon për të shmangur heqjen e yndyrave natyrale nga lëkura që janë çelësi për ruajtjen e hidratimit.
Lëkurë e yndyrshme ose e prirur ndaj puçrrave: Për këtë lloj lëkure, dermatologët këshillojnë pastrimin dy herë në ditë. Në këtë mënyrë kontrollohet prodhimi i sebumit dhe parandalohet grumbullimi i baktereve që shkaktojnë puçrra.
Lëkurë “mature”: Lëkura “mature” është më e prirur ndaj tharjes dhe për këtë arsye është mirë ta lani një herë në ditë për të mos i hequr yndyrat natyrale mbrojtëse. Nëse vëreni ndryshime të lëkurës, si humbja e elasticitetit ose zvogëlim i sekretimit të yndyrës, veçanërisht gjatë periudhës së perimenopauzës dhe menopauzës, është mirë të filloni duke e larë vetëm një herë në ditë.
Kur bëhet fjalë për larjen e fytyrës në mëngjes në krahasim me larjen e fytyrës në mbrëmje, është gjithmonë më mirë të zgjidhni të dytën. Gjatë natës fillon procesi natyral i rigjenerimit të lëkurës ose zëvendësimi i qelizave të vdekura me të reja dhe lëkura e pastër e lehtëson këtë proces.
Praktikë pas stërvitjes?
Nëse stërviteni rregullisht dhe kaloni një pjesë të madhe të kohës në palestër, dermatologët rekomandojnë që të pastroni fytyrën menjëherë pas stërvitjes, për të hequr djersën dhe për të parandaluar bllokimin e poreve dhe shfaqjen e pikave të zeza. Megjithatë, është thelbësore të përdorni një pastrues të butë për të shmangur tharjen e tepërt të lëkurës. Nëse keni lëkurë të thatë dhe nuk djersitni shumë gjatë stërvitjeve, është në rregull të mos e lani fare fytyrën.
Rëndësia e pastrimit të lehtë
Përveç shpeshtësisë së larjes së fytyrës, dermatologët theksojnë rëndësinë e përdorimit të një pastruesi të butë dhe hidratues. Përbërësit aktiv agresiv heqin lagështinë natyrale të lëkurës, duke çuar në acarim dhe dëmtim të mundshëm afatgjatë. Në treg ekziston një përzgjedhje e madhe e tonikëve të butë për pastrimin dhe larjen e fytyrës si dhe ujërave micellare që bazohen në përbërës dhe vajra organikë natyralë. Një taktikë e mirë është të zgjidhni një produkt pa aromë dhe sulfate për të minimizuar rrezikun e acarimit të lëkurës.
Disa femra praktikojnë larjen e fytyrës vetëm me ujë, por uji nuk është i mjaftueshëm për të zbërthyer papastërtitë, sebumin ose grimin.
Sa duhet të zgjasë larja e fytyrës?
Edhe ju e dini se sa e vështirë është të hiqet kremi kundër diellit, grimi ose ndonjë gjë tjetër nga fytyra në vetëm pak sekonda. Por, një minutë është më se e mjaftueshme për të fërkuar dhe masazhuar butësisht lëkurën, duke lëvizur deri te vija e flokëve, për të hequr papastërtitë.
Nëse rregulli për larjen e duarve është të paktën 20 sekonda dhe keni një sipërfaqe pak më të madhe për të trajtuar fytyrën tuaj, është e nevojshme t’i kushtoni rreth 20 sekonda secilës zonë – faqeve, mjekrës, ballit, hundës. Nëse nuk mund të merreni me numrat, thjesht bëni lëvizje të lehta rrethore nga hunda kah faqet, më pas lart e poshtë në të gjithë fytyrën, deri te balli, veshët dhe nofulla.
Gjatë larjes së fytyrës, përdorni vetëm gishtat. Sfungjeri ose peshqiri për larje nuk janë të përshtatshëm për përdorim të përditshëm, por vetëm për eksfolim i cili rekomandohet një herë në javë. Gjithashtu rekomandohet përdorimi i ujit të vakët, pasi është më i përshtatshëm për lëkurën dhe hap poret.