A është noti sekreti i humbjes së peshës dhe plakjes së shëndetshme?

A është noti sekreti i humbjes së peshës dhe plakjes së shëndetshme?

Ndërsa shumë njerëz po i drejtohen palestrës për të humbur peshë, një nga format më të dobishme të aktivitetit fizik shpesh anashkalohet – noti.
Edhe pse shpesh konsiderohet si një aktivitet i lehtë, sepse nuk ushtron shumë presion në nyja, noti aktivizon pothuajse të gjitha grupet kryesore të muskujve dhe djeg një sasi të konsiderueshme kalorish. Por, përfitimet nuk ndalen këtu. Nga humbja e peshës deri te funksionimi më i mirë i trurit, noti gjithnjë e më shumë konsiderohet si burimi i rinisë.

Sa efektiv është noti për humbjen e peshës?

Hulumtimet tregojnë se noti mund të ndihmojë ndjeshëm në humbjen e peshës së trupit, veçanërisht te personat mbi 50 vjeç.
Një studim te gratë mbi 50 vjeç tregoi shpërndarje më të mirë të yndyrës trupore dhe perimetër të reduktuar të belit dhe ijëve pas gjashtë muajsh noti të rregullt. Një studim tjetër te personat me diabet të tipit 2 ose presion të lartë të gjakut tregoi një ulje të yndyrës trupore, indeksit BMI, sheqerit në gjak, kolesterolit dhe presionit të gjakut.
Ndryshe nga ecja ose vrapimi, noti është një stërvitje për të gjithë trupin sepse aktivizon grupe të shumta muskujsh njëkohësisht. Një orë not djeg më shumë kalori sesa ecja, ndërsa është më pak ngarkesë për nyjat.

Noti mund të praktikohet në intervale, me një kombinim të serive më intensive dhe më të ngadalta, ose si një stërvitje më e gjatë dhe e moderuar. Të dyja qasjet ndihmojnë në djegien e kalorive, forcimin e muskujve dhe përshpejtimin e metabolizmit.

Ekspertët besojnë se noti në mëngjes, para ngrënies, mund të përshpejtojë më tej djegien e yndyrës. Megjithatë, noti në ujë të ftohtë mund të rrisë oreksin, kështu që është e rëndësishme të jeni të kujdesshëm me konsumimin e ushqimit pas stërvitjes.

Cilat stile të notit janë më të mira për humbje peshe?

Flutura

Stili më intensiv që djeg më shumë kalori. Aktivizon gjoksin, barkun, krahët dhe shpinën dhe është i shkëlqyer për formësimin dhe forcimin e muskujve.

Stili i lirë

Një stil i shpejtë dhe efikas që ndihmon veçanërisht në forcimin e shpatullave, muskujve të barkut dhe të vitheve.

Noti në shpinë

Një zgjedhje e shkëlqyer për njerëzit që kanë vështirësi me teknikën e frymëmarrjes. Ndihmon në përmirësimin e qëndrimit dhe forcimin e shtyllës kurrizore.

Noti në gjoks

Më e lehta për t’u mësuar, por edhe një stërvitje e shkëlqyer kardiovaskulare. Aktivizon këmbët, krahët, shpinën dhe mushkëritë.

Noti dhe shëndeti i trurit

Noti nuk ka ndikim vetëm ndaj trupit, por edhe ndaj trurit. Hulumtimet tregojnë se mund të shkaktojë ndryshime pozitive strukturore në tru, veçanërisht në zonat që lidhen me kujtesën dhe të mësuarit.

Qarkullimi i përmirësuar gjatë qëndrimit në ujë stimulon më tej funksionin e trurit. Madje edhe një not i shkurtër prej 20 minutash mund të përmirësojë përqendrimin, qartësinë mendore dhe shpejtësinë e reagimit.

Lëvizjet ritmike kanë gjithashtu një efekt qetësues, duke ndihmuar në uljen e stresit dhe ankthit, ndërsa stimulohet çlirimi i serotoninës – hormonit që ndikon në humorin e mirë.

Efekt pozitiv në zemër dhe enët e gjakut

Noti përmirëson shëndetin kardiovaskular dhe mund të ndihmojë në uljen e ngurtësisë arteriale, presionit të gjakut dhe niveleve të sheqerit në gjak.
Noti i rregullt është një mënyrë e sigurt dhe efektive për të ruajtur një zemër të shëndetshme, veçanërisht te popullata më e moshuar.

Gjumë më i mirë me ndihmën e notit

Problemet me gjumin bëhen më të shpeshta me kalimin e moshës, por noti mund të ndihmojë ndjeshëm.
Hulumtimet tregojnë se personat që notojnë rregullisht kanë gjumë më cilësor dhe më të gjatë, i merr gjumi më lehtë dhe ndihen më të pushuar ditën tjetër.
Një efekt të ngjashëm kanë edhe aktivitetet në ujë, siç është aerobia në ujë, duke kontribuar në relaksim më të mirë dhe pushim më cilësor.