Disa zëra i njohim që në notat e para, por pas tyre fshihen histori që nuk mund të tregohen vetëm përmes muzikës. Më shumë se dy dekada në skenë, dy fitore në festivalin “Makfest” dhe këngë që ndërthurin dashurinë, zhgënjimin dhe shpresën janë pjesë e rrugëtimit të Bojana Skenderovskit. Por, me kalimin e viteve ajo ka mësuar se nuk duhet t’u besojë të gjitha fjalëve, as të përmbushë pritshmëritë e të tjerëve.
Sot, përveç muzikës, familjes dhe dëshirave që ende presin të realizohen, ajo hap edhe një kapitull të ri si ambasadore e humanizmit pranë Shtëpisë së Fëmijëve “11 Tetori”. Me të flasim për lirinë për të qenë vetvetja, për ëndrrat që nuk kanë afat skadimi dhe për njerëzit që na japin forcë për të vazhduar.
Bojana, ku ju gjejmë në këtë moment të jetës dhe karrierës suaj? Pas më shumë se dy dekadash në skenë, çfarë ju përmbush më shumë sot – krijimi i muzikës së re, takimet me publikun, apo mundësia për të patur më shumë kohë për veten dhe njerëzit që doni?
Të gjitha këto gjëra së bashku; përpiqem të ruaj ekuilibrin midis asaj që më përmbush profesionalisht dhe është identiteti im personal, por edhe asaj që është baza ime, e cila përbëhet nga njerëzit që dua dhe të cilët janë motivimi dhe forca ime më e madhe për të krijuar… Për mua, harmonia personale dhe familjare është shumë e rëndësishme në mënyrë që të jem e lumtur dhe në gjendje për të krijuar gjëra të bukura.
Publiku i kujton këngët, performancat dhe momentet e mëdha, por nuk i njeh të gjitha versionet e gruas që ka qëndruar pas tyre. Cilin version tuajin nga e kaluara e kuptoni më mirë sot sesa atëherë?
E kuptoj më mirë atë version të vetes kur eksperimentoja dhe eksploroja. Sinqerisht, atëherë kisha më shumë guxim për t’u përfshirë në eksperimente të ndryshme lidhur me profesionin tim. Nuk pendohem kurrë për asgjë, sepse e gjithë kjo është pjesë e procesit të pjekurisë sime dhe zbulimit të vetes.
Dy fitoret në festivalin “Makfest” në vitet 2003 dhe 2015 e shënuan karrierën tuaj në periudha të ndryshme të jetës. Nëse sot do të duhej të zgjidhnit një këngë që përshkruan më së miri gruan që jeni bërë, a do të ishte ndonjëra prej tyre apo diçka krejtësisht tjetër? Pse?
Kënga ime “Zborovi lazhni” (“Fjalë të rreme”) flet më saktë për mua. Gjatë gjithë karrierës sime kam dëgjuar dhe lexuar fjalë të ndryshme, dhe kur isha pa përvojë, i besoja ato.
Imazhi që të tjerët krijonin për mua me “fjalë të rreme” dinte edhe të më lëndojë, sepse ndoshta dyshoja në vlerën time.
Sot e di se, siç thuhet në këngë – “vetëm një fjalë nga ti, si askush do të më prekë” – unë besoj dhe prekem vetëm nga fjalët e atyre që kam zgjedhur t’u besoj, dhe këta janë shumë pak njerëz të cilët jeta më ka dëshmuar se janë të vërtetë.

Me këngën “Doma” (“Në shtëpi”) ju u prezantuat edhe si autore e tekstit. Kur shkruani, a e keni më të lehtë t’i shprehni gjërat që do të kishit vështirësi t’i thonit në një bisedë të zakonshme? A ka diçka që mund ta këndoni, por nuk do të dinit si ta shpjegoni me fjalët tuaja?
“Doma” është vetëm një nga historitë e mia të sinqerta për vendin që e mbaj në zemër – Maqedoninë…
Dhe disi, dashurinë që e ndiej e kam më të lehtë ta shpreh duke kënduar për të.
Emocioni që e shprehni përmes fjalës së shkruar dhe pastaj shoqërohet me interpretim vokal, është shumë më i lehtë për t’u përcjellë dhe për t’u transmetuar .
Ndonjëherë ndryshimi më i madh nuk qëndron në atë që bëjmë, por në atë që nuk jemi më të gatshëm ta bëjmë. Çfarë nuk do të sakrifikonit më sot për karrierën tuaj, për pritshmëritë e të tjerëve ose për nevojën për t’u dëshmuar të tjerëve se mund të bëni gjithçka?
Nuk pranoj më imponime kur bëhet fjalë për hapat e mi të ardhshëm, nuk i pranoj as sugjerimet që kufizojnë lirinë time krijuese ose mënyrën se si unë zgjedh të bëj muzikë. Gjithnjë e më shpesh e them fjalën “jo” dhe fjalinë “jo, kjo nuk është për mua…” ose nuk i lejoj që të ulin në mënyrë tendencioze vlerën time për të krijuar hapësirë për veten e tyre.
Sot, nga personazhet publike pritet që të jenë vazhdimisht të pranishëm – me këngë të reja, postime, fotografi, komunikim të drejpëtdrejtë dhe gatishmëri për të komentuar. Ndonjëherë duket sikur publiku nuk ka nevojë vetëm të dëgjojë artin, por edhe të ketë qasje të vazhdueshme te personi që e krijon atë. Si e vendosni kufirin midis Bojanës që publiku e njeh dhe Bojanës që doni ta mbani vetëm për vete?
Koha e re ka mënyrat dhe format e saj të reja, një epokë e informacionit të shpejtë, videove të shkurtra dhe fotografive perfekte. Unë jam e pranishme, ky mjet është i nevojshëm edhe për muzikën time, por nuk ndaj gjithçka nga jeta ime – e di saktësisht kufirin se deri ku mund të shkoj. Megjithatë, dua që një pjesë të madhe të jetës sime private dhe momenteve të mia t’i ruaj vetëm për vete.
Keni filluar të mësoni piano në moshën 40 vjeç, duke përmbushur një dëshirë që e keni pasur që nga fëmijëria. Ndonjëherë nuk heqim dorë nga ëndrrat tona, thjesht i lëmë të presin. Çfarë ju ka mësuar kjo përvojë për kohën dhe dëshirat personale dhe a ka ndonjë gjë tjetër që ende po prisni t’ia lejoni vetes?
Nuk është kurrë vonë për të bërë realitet dëshirat e tua, ndoshta gjithçka vjen në kohën e duhur – unë fillova të mësoj pianon në moshën 40 vjeç, disa mbarojnë një fakultet të dytë në moshën 70 vjeç, e kështu me radhë. Përndryshe, dëshiroj të realizoj koncerte të mëdha me orkestra të mëdha edhe jashtë Maqedonisë, ndërsa dëshiroj gjithashtu të kem dyqanin tim për antikuare.
Keni dy fëmijë dhe keni folur për dëshirën që ata të gjejnë vetë rrugën e tyre, pa ua imponuar muzikën si profesion. Sa e vështirë është për një prind të bëjë dallimin midis dëshirës për ta bërë rrugën e fëmijës më të lehtë dhe nevojës për t’i lejuar ata të zbulojnë vetë mundësitë e tyre, madje edhe gabimet e tyre?
Si prind, gjithmonë do të veproni nga pozicioni i mbrojtësit; unë jam një nënë mbrojtëse nga natyra. Por, ata nuk janë më foshnja të vogla – kanë miqtë e tyre, mësojnë dhe i kuptojnë marrëdhëniet. Ndonjëherë përballen edhe me padrejtësi, por ata duhet të mësojnë të luftojnë, megjithëse unë sigurisht nuk do të mund t’i lija të përballonin gjithçka vetë – çdo gjë në kohën e vet. Unë dhe bashkëshorti im mund t’ua përcjellim normat tona morale, por shoqëria dhe mjedisi gjithashtu kanë ndikim në formimin e tyre.
Mëmësia shpesh ndryshon jo vetëm rutinën e përditshme të një gruaje, por edhe raportin e saj ndaj nevojave të veta. Si mund të jesh një nënë e përkushtuar, pa harruar gruan që ekzistonte para fëmijëve, me ambiciet, dëshirat dhe nevojën për të bërë ndonjëherë diçka vetëm për veten?
Për këtë duhet magji (qesh)… Po bëj shaka.
Jo vetëm unë, shumë gra sot funksionojnë në disa drejtime dhe janë po aq të suksesshme. Thënë thjesht, këto kohë kështu janë – emancipimi i grave dhe theksimi i vazhdueshëm se jemi të barabarta me burrat kërkon që ne të jemi të mira në gjithçka.
Nuk është e lehtë, por duhet theksuar se kam edhe një mbështetje të jashtëzakonshme nga bashkëshorti dhe familja ime. Pa këtë mbështetje, ndoshta nuk do të ishte aq e lehtë dhe jam mirënjohëse. Nevojitet një organizim i mirë, mendje e shëndetshme dhe vullnet, pastaj gjithçka është e mundur.

Bojana, së fundmi jeni bërë ambasadore e humanizmit e Shtëpisë së Fëmijëve “11 Tetori”. Fama juaj mund të tërheqë vëmendje, por ndryshimi i vërtetë ndoshta ndodh shumë larg kamerave dhe titujve kryesorë – në ndjenjën e një fëmije se dikush beson tek ai dhe se ka dikë ku të mbështetet. Si planifikoni t’i ndihmoni konkretisht këta fëmijë – përmes arsimimit, zhvillimit të talenteve të tyre ose mbështetjes kur duhet të fillojnë një jetë të pavarur? A keni menduar tashmë për aktivitete ose iniciativa që do të dëshironit t’i realizoni me ta?
Kam shumë gjëra në mendje dhe, më besoni, Universi punon për ju nëse e dëshironi vërtet diçka. Ja, edhe dëshira ime për t’u përfshirë në botën e modës përmes markës maqedonase “Elena Luka” është bërë realitet – unë jam imazhi i koleksionit të ri. Më dhanë lirinë dhe hapësirën për t’u shprehur edhe përmes modës (moda është gjithashtu pasioni im), ndërsa në një të ardhme të afërt… ku i dihet, vetëm shëndet mbi të gjitha! Të jesh ambasadore e humanizmit për Shtëpinë “11 Tetori” është nder dhe përgjegjësi për mua. Jam e lumtur që mund t’ia lehtësoj dikujt diçka, qoftë edhe për një moment.
Kohët e fundit folët për mësuesen tuaj të gjuhës maqedonase, e cila e nxiti dashurinë tuaj për të shkruar që në shkollën fillore. Sa e rëndësishme është në jetë të kemi dikë që shikon diçka te ne përpara se të besojmë edhe vetë se e posedojmë? A ka ndonjë person që sot do të donit t’i tregonit përsëri se sa shumë ju ka ndikuar?
Është shumë e rëndësishme që dikush të shikojë atë që mbart brenda vetes dhe thjesht t’ju shtyjë të fluturoni…
Në jetën time, ka qenë mësuesja ime e kopshtit, Mare, ajo e cila u sugjeroi prindërve të mi të më regjistronin në shkollën e muzikës dhe ishte pikërisht ajo që inkurajoi shfaqjet e mia të para që në kopsht. Më pas mësuesja ime e gjuhës maqedonase në shkollën fillore, Zaharica, ishte ajo e cila më nxiste të lexoja shumë dhe gjithashtu të shkruaja prozë.
Babai im më mbështeti në fillim, kur karriera ime profesionale tashmë kishte filluar, ndërsa kohët e fundit pranë meje është edhe bashkëshorti im, i cili ndryshoi profesionin e tij për t’iu përkushtuar produksionit tonë dhe karrierës sime muzikore… Jam shumë mirënjohëse ndaj të gjithëve.
Çfarë do t’u rekomandonit lexuesve të revistës “Farmacisti Juaj”, veçanërisht atyre që janë në një periudhë të jetës së tyre kur shqetësimet familjare, sfidat shëndetësore ose detyrimet e përditshme i kanë distancuar nga dëshirat e tyre? Si mund t’i japin vetes leje përsëri për të filluar diçka të re, për të ndryshuar diçka ose thjesht për të gjetur kohë për veten?
Unë jam një optimiste e përjetshme, jam një njeri që beson se energjia pozitive gjithmonë fiton. Të dashur njerëz, mbani dashuri brenda vetes, dhurojeni atë, mendoni pozitivisht – ajo që jepni, ajo edhe do t’ju kthehet. Nuk është kurrë vonë për të bërë realitet një dëshirë ose për të arritur një qëllim. Ata që kanë arritur sukses ose kanë fituar, janë pikërisht ata që nuk janë dorëzuar kurrë dhe që kanë thënë: “Hajde, do ta provoj edhe një herë”.
