Çfarë duhet të hani pas pushimeve?

Çfarë duhet të hani pas pushimeve?

Për t’u rikthyer më lehtë në formë

Pushimet verore mbaruan, por ju nuk ndiheni fare të pushuar? Përkundrazi, në mëngjes luftoni të ngriheni nga shtrati, në mesditë nuk ndiheni mirë dhe ju bie sheqeri, kurse kur hani ju dhemb stomaku? Nuk jeni vetëm, ndryshimi i klimës, uji, ushqimi, udhëtimet e lodhshme dhe fakti që duhet të riktheheni përsëri në punë, lehtësisht mund t’ju çojnë në një depresion të lehtë pas pushimeve. Në këtë rast, stomaku është i pari që vuan, kurse ju mbeteni pa vullnet dhe energji.

Por, me këtë ushqim do të arrini të riktheni moralin dhe do të ndjeni vërtet përfitimet e pushimeve që kanë kaluar. Kjo menu njëditore është vepër e Medlin Sho, një nutricioniste e njohur dhe autore e bestsellerit të wellness-it “Get The Glow” (Merr shkëlqimin). Menuja synon të pastrojë trupin nga toksinat e grumbulluara, të qetësojë stomakun dhe t’ju sjellë energji. Është mirë që ta praktikoni të paktën një herë në muaj.

Ujë me kripë para gjumit

Shtoni një sasi të vogël kripe deti (aq sa mund të mbani mes gishtave) në një gotë me ujë dhe pijeni ngadalë. Një pije e kripur para gjumit mund të mos tingëllojë tërheqëse, por është e sigurt që funksionon. Kripa e detit përmban rreth 90 minerale themelore me të cilat do të rivendosni ekuilibrin e prishur në trup dhe hidratimin.

Mëngjes i plotë

Vezët e detoksifikojnë mëlçinë e zezë dhe gjithashtu e furnizojnë trupin me proteina, aminoacide dhe yndyra të shëndetshme në mënyrë që të keni energji për të përballuar ritmin e ditës. Kafshoni edhe një copë bukë që përmban maja në mënyrë që të mos keni vështirësi me tretjen e ushqimit, veçanërisht nëse stomaku juaj është i ndjeshëm. Banania dhe uji i kokosit janë burime të shkëlqyera të kaliumit – elektrolit që zëvendësohet lehtësisht.

Drekë e yndyrshme

Gostitni veten me patate të skuqura, por të përgatitura në shtëpi, sepse nëpër restorante (sidomos ato të ushqimit të shpejtë) shpesh shfrytëzohen patate të ngrira dhe të paketuara, të cilat nuk kanë pothuajse asnjë lëndë ushqyese. Një zgjedhje akoma më e mirë janë patatet e ëmbla sepse nuk ka nevojë që t’i skuqni, thjesht i prisni në kube, i spërkatni me vaj kokosi dhe kripë deti dhe piqni në furrë të paranxehur në 180 gradë për rreth 35 minuta. Patatet mund t’i kombinoni lirisht me një copë mish të pastër, për të ngopur plotësisht grelinin – hormonin e urisë, i cili zakonisht sekretohet në doza të mëdha gjatë fazave të rraskapitjes.

Qershi për një meze të lehtë

Nëse gjatë gjithë ditës keni qëndruar shtrirë në mënyrë që të akumuloni sa më shumë energji dhe të vini në vete, ka shumë mundësi që gjatë natës të përballeni me një valë energjie. Nga njëra anë, kjo gjë është e mirë, veçanërisht nëse i keni anashkaluar obligimet shtëpiake, por nga ana tjetër, është e rrezikshme për gjumin tuaj. Ose do të keni probleme për të fjetur ose do të flini me ndërprerje. Prandaj, hani një grusht me qershi (gjatë kësaj periudhe mundet edhe të ngrira) ose pini lëng qershie, sepse pikërisht ky frut stimulon prodhimin e melatoninës, një hormon që do t’ju ndihmojë të flini.

Sallatë speciale për darkë

Perimet e hidhura si rukola, glinaxoja (anasoni), lakërishta, janë të shkëlqyera për sistemin tretës dhe gjithashtu do të ndihmojnë organizmin të lirohet nga toksinat e mbetura. Shtoni edhe pak panxhar, të freskët ose të konservuar, për të pastruar plotësisht mëlçinë e zezë. Të nesërmen do të jeni si i ri, do të ndiheni të freskët dhe energjikë.

Pija më e re ‘fit’

Ajo e shuan etjen në çdo stinë të vitit! – Pija transparente e cila freskon vetëm duke e parë, do të bëhet obsesioni juaj i ri. Bëhet fjalë për një recetë tradicionale që konsumohej nga fermerët në kohën e korrjes me qëllim që të ruajnë hidratimin. Një përzierje e pazakontë e xhenxhefilit, uthullës së mollës, lëngut të limonit dhe shurupit të panjës, e pasur me një sërë materiesh ushqyese dhe elektrolitesh natyrale për rikuperimin e plotë të një organizmi të rraskapitur dhe të dehidratuar.

PËRFITIMET E PIJES

Lëngu i limonit

Edhe ju vetë e dini se lëngu i limonit është i pasur me vitaminë C, të cilën ndoshta e pini vetëm kur keni nevojë, zakonisht kur jeni të sëmurë. Sa për rikujtim, 2 lugë gjelle lëng limoni përmbajnë 14% të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës C. Vitamina C, jo vetëm që përmirëson gjendjen fizike për sport, njëkohësisht është edhe një mbrojtëse e shkëlqyer e lëkurës nga të gjithë faktorët e jashtëm, si rrezet UV dhe ndotësit. Studimet tregojnë se ushqimi i pasur me vitaminë C, rezulton në mënyrë të pashmangshme me një imunitet të fortë, por edhe një lëkurë të shtrënguar dhe pa rrudha.

Shurupi i panjës

I pasur me dhjetëra përbërës të cilët e përmirësojnë shëndetin, e veç kësaj, hulumtimet e fundit tregojnë se shurupi mund të mbrojë edhe nga sëmundja e Alzheimerit. Por, nutricionistët paralajmërojnë për faktin në vazhdim: 60 për qind e përbërjes së shurupit të panjës i përket sheqernave, që do të thotë se me vetëm një gram keni marrë tri kalori. Për përfitime maksimale, drejtohuni nga ngjyra – shurupi më i errët i panjës është zakonisht më i pasur me lëndë ushqyese dhe antioksidantë.

Rrënja e grirë e xhenxhefilit

Xhenxhefili është një erëz mrekullibërëse! Studimet e tregojnë atë si një armë të fuqishme parandaluese kundër kancerit. Nëse vendosni t’i riktheheni stërvitjes, tani ose në dimër, konsumojeni rregullisht për të lehtësuar dhimbjet e muskujve. Pikërisht për shkak të xhenxhefilit, kjo recetë konsiderohet një pije e shkëlqyer sportive. Ajo përmban një sasi të mjaftueshme natriumi dhe kaliumi për të kompensuar humbjen e elektroliteve që ndodh gjatë procesit të djersitjes.

Uthulla e mollës

Ju do ta fitoni yndyrën vetëm nëse filloni të konsumoni më pak kalori dhe nëse arrini të kontrolloni efektin e karbohidrateve ndaj nivelit të sheqerit në gjak. Për këtë qëllim, është mirë që të rinovoni miqësinë tuaj me këtë produkt të nënvlerësuar. Studimet e reja tregojnë se uthulla e mollës e përmirëson reagimin ndaj insulinës, kurse në afat të gjatë, e zvogëlon rrezikun e diabetit të tipit 2.

RECETA

Prisni 250 gramë xhenxhefil, vendoseni në 500 mililitra ujë dhe zieni për rreth 2 minuta, e më pas lini mënjanë për 20 minuta. Në një enë hidhni ¾ e gotës shurup panje (maxhun ose 1 lugë gjelle mjaltë), ½ gotë uthull molle, 2/3 gota lëng limoni. Derdhni në enë ujin në të cilin është zier xhenxhefili.

Shërbejeni pijen në një kavanoz me kuba akulli dhe zbukurojeni me xhenxhefil të freskët të grirë, limon dhe nenexhik. Në dimër, shërbejeni të ngrohtë.