Doracak për një jetë të shëndetshme dhe të lumtur

Doracak për një jetë të shëndetshme dhe të lumtur

Jetojmë në një kohë të vetëdijes së lartë për atë që hamë, çfarë është e mirë për ne, çfarë nuk është e mirë për ne, lexojmë artikuj të shumtë për shëndetin dhe si të bëjmë një jetë cilësore, por realiteti vazhdimisht na godet me shuplakë se diçka nuk jemi duke e bërë siç duhet. A e dimë vërtet se çfarë i duhet saktësisht trupit tonë për të qenë vërtet i shëndetshëm dhe i lumtur?

Provoni të kërkoni termin “jetesë e shëndetshme” në Google dhe do të merrni afërsisht 6 milionë rezultate. Pavarësisht se sa e keni kuptuar se si funksionon saktësisht trupi juaj, gjasat janë të mëdha që të keni ende kontradikta, informata të paverifikuara dhe madje edhe të rreme për shëndetin dhe mënyrën e shëndetshme të jetesës.

Për të reduktuar sadopak gjithë këtë konfuzion, ne kemi bërë një përzgjedhje kërkimesh që premtojnë një jetë më të mirë dhe kemi veçuar ato fakte të konfirmuara të cilat me të vërtet do t’ju ndihmojnë që të mbani trupin dhe mendjen tuaj në formë.

Ky artikull është investimi më i madh për shëndetin, energjinë, mirëqenien tuaj, mos ngurroni ta shfrytëzoni.

USHQIMI

Hani me zgjuarsi – A ka dikush që nuk ka dëgjuar akoma për përfitimet e të ushqyerit mesdhetar? I pasur me peshk të freskët, fruta, perime, ullinj, vaj ulliri, fruta të thata dhe drithëra, të cilat nënkuptojnë një zgjatje të jetës për 15 vite. Shkencëtarët besojnë se një regjim i tillë i të ushqyerit mund të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut të dy prej gjendjeve më vdekjeprurëse në botë – sulmit në zemër dhe kancerit, dhe njëkohësisht të zvogëlojë rrezikun e Alzheimerit me 40%. Stili mesdhetar i të ushqyerit është plotësisht i realizueshëm në vendin tonë.

Është e rëndësishme të dini – Përdorni vetëm fruta të freskëta, shmangni të konservuarat, apo edhe të ngrirat. Gjatë 8 viteve, në Angli u realizua një hulumtim ekspertësh në të cilin ishin përfshirë 65,000 të anketuar. Rezultatet treguan se ata persona që kishin ngrënë 7 ose më shumë racione frutash ose perimesh të freskëta, kishin gjasa më të ulëta prej 42% për të zhvilluar kancer ose sëmundje të zemrës, për dallim nga ata që kishin konsumuar të njëjtën sasi frutash dhe perimesh në formë të ngrirë ose të konservuar. A po pyesni veten pse? Arsyeja është shurupi i sheqerit që përmbajnë frutat e konservuara, ai i anulon të gjitha përfitimet.

KUJTESA

Vëzhgoni presionin e gjakut – Sipas një raporti të “Organizatës Ndërkombëtare për luftë kundër sëmundjes së Alzheimerit”, numri i pacientëve me demencë deri në vitin 2050 do të arrijë në 135 milionë njerëz, nga të cilët 16 milionë do të jenë nga Evropa Perëndimore dhe mbi 70% nga vendet e varfra. “Presioni i lartë i gjakut, i cili mund të dëmtojë enët e gjakut në tru, gjatë periudhës së rinisë, është faktori kryesor për nxitjen e demencës më vonë në jetë” – thotë Dr Claire Walton, një nga hulumtuesit e “Shoqatës të personave të sëmurë me Alzheimer”.

Është e rëndësishme të dini – Konsumoni çaj jeshil dhe më pas bëni ndonjë aktivitet fizik. Hulumtimet e publikuara në “Molecular Food and Nutrition” (“Ushqimi dhe të Ushqyerit Molekular”) zbulojnë se minjve laboratorikë të cilëve u është dhënë EGCG (polifenole dhe katekina) – përbërës që gjenden në çajin jeshil – treguan përmirësim të jashtëzakonshëm në funksionin e trurit dhe kujtesës.

LUMTURI

Jini empatikë – Lumturia jonë varet më së shumti nga aftësia jonë për t’u solidarizuar me emocionet e njerëzve rreth nesh, thonë studiuesit nga Universiteti Stanford. Si të bëheni epmatikë? Thjesht, vendoseni veten në vendin e dikujt tjetër përpara se të bëni ndonjë supozim apo të sillni ndonjë përfundim. Gjithashtu, praktikoni dëgjimin aktiv, kjo do të thotë që të dëgjoni me kujdes bashkëbiseduesin tuaj, pa e ndërprerë atë dhe të formuloni një përgjigje në kokën tuaj derisa ai është duke folur. Pastaj, tregoni mirëkuptimin tuaj duke parafrazuar atë që ai tha. Për shembull: “Pra, të ofendon fakti që si kolegu yt nuk ta ofroj ndihmën time kurse ti ke nevojë për të?” Empatia nxit afërsinë shoqërore dhe mirëqenien e përgjithshme.

Është e rëndësishme të dini se shkencëtarja Barbara Fredrickson studioi njerëzit e lumtur natyrshëm dhe arriti të kuptojë se nëse kultivojmë emocione pozitive, do të jemi qenie shumë më të lumtura. “Njerëzit shpesh nuk i njohin gjërat pozitive që u ndodhin në jetën e tyre të përditshme, aq më pak janë të vetëdijshmëm për fuqinë që kanë për të ndryshuar disponimin e tyre”, thotë Dr. Rick Hanson, autor i i librit “Hardwiring Happiness”. Mundohuni që nga gjërat negative të zbuloni përvojën pozitive që keni fituar. Nëse e praktikoni këtë çdo ditë, do ta programoni trurin tuaj që të ndjejë më shumë vibrime të mira sesa të këqija.

HORMONET

Rritni nivelin e hekurit në gjak – Nuk ka dyshim se mungesa e hekurit në gjak shoqërohet me ndjenjën e lodhjes. Por pak njerëz e dinë se ushqimet e pasura me hekur jo vetëm që e zgjidhin këtë problem, por mund të ndihmojnë edhe në uljen e simptomave të PMS me 40%. Hekuri është thelbësor për prodhimin e serotoninës, hormonit të lumturisë. Gratë me PMS janë më të ndjeshme ndaj progesteronit, hormonit i cili nga vezoret përfundon në gjak pas ovulacionit. Kjo çon në ulje të serotoninës në tru dhe shfaqjen e simptomave të PMS. Në përgjithësi pranohet se ushqimet me origjinë shtazore (mishi dhe peshku) janë më të pasura me hekur, megjithëse hulumtimet tregojnë se përfitimet më të mëdha të hekurit merren nga ushqimet bimore si perimet, frutat, bajamet dhe drithërat.

Është e rëndësishme të dini se gratë kanë nevojë për 14.8 mg hekur në ditë, ndërsa burrat kanë nevojë për 8 mg në ditë, megjithatë, sasinë saktësisht duhet ta definojë mjeku juaj sipas nevojave tuaja. Nëse nuk keni mundësi ta merrni këtë sasi në mënyrë natyrale, atëherë merrni një suplement.

zdrav zivot

LËKURA

Hani më shumë pure domatesh – Biologu molekular, Profesor Mark Birch-Machin zbuloi se konsumimi i rreth 5 lugë gjelle me produkte të përpunuara domatesh çdo ditë, mund të stimulojë prodhimin natyral të kolagjenit dhe ta bëjë lëkurën më rezistente ndaj dëmtimeve nga dielli. Është interesante se këto rezultate u vunë re kur njerëzit hanin vetëm ushqime të gatuara, të përpunuara, si pure domatesh ose keçap. Arsyeja për këtë është likopeni, një antioksidant i fuqishëm që krijohet gjatë përpunimit të cilin trupi e përthith shumë lehtë. Pure domatesh, lëng domatesh, salcë ose keçap shtëpiak – zgjedhja është e juaja.

Është e rëndësishme të dini se dielli nxit plakjen e parakohshme të lëkurës, prandaj mbrojeni atë me SPF – nga 30 në 50 në verë, nga 15 në 20 në dimër.

KOCKAT

Bëni ushtrime squats (ulje ngritje – pupçik) çdo ditë – A e dini se rreth gjysma e burrave dhe grave të moshës 35-60 vjeç kanë probleme me gjunjët? Forcimi i muskujve rreth gjunjëve është një mënyrë e sigurt për të hequr qafe dhimbjet kronike, sigurisht, nëse ju lejohet të ushtroni. Ata që do të parandalojnë me ushtrimet e gjurit qysh në të 20-at ose 30-at e tyre, nuk do të kenë kurrfarë problemi në moshë më të madhe. Një studim tregon se një program 8-javor me ushtrime squats çdo ditë, pa shtuar peshë shtesë, forcon muskujt rreth gjunjëve dhe redukton yndyrën. Muskujt e fortë në pjesën e barkut, shpinë dhe të pasme, ofrojnë mbështetje të shkëlqyer për gjunjët.

Është e rëndësishme të dini se përveç me ushtrime squats, gjunjët forcohen edhe me anë të suplementimit me kalcium dhe vitaminën kryesore të kockave K2, e cila transporton mineralin direkt në kocka.

FERTILITETI

Bëni një analizë të gjëndrës tiroide – Gjatë viteve të fundit, numri i trajtimeve për të rritur fertilitetin dhe trajtimin e infertilitetit është rritur me shpejtësi. Por përpara se të nxitoni dhe të planifikoni të gjitha analizat e mundshme, kontrolloni gjëndrën tuaj tiroide. “Një nga gjërat që pengon mundësitë tuaja për të mbetur shtatzënë mund të jetë një çrregullim i padiagnostikuar i tiroidës, veçanërisht nëse keni një histori familjare të sëmundjeve të gjëndrës tiroide nga ana femërore”, thotë Dr Gillian Lockwood, këshillues i mjekësisë riprodhuese. Gjëndra tiroide ndikon në hipofizë, e cila është përgjegjëse për rregullimin e hormoneve seksuale thelbësore për fertilitetin.

Është e rëndësishme të dini – Informohuni se në cilën moshë filloi menopauza e nënës suaj. “Ka një kornizë kohore ku gratë janë më të ndjeshme ndaj problemeve të fertilitetit, kjo ndodh rreth 10 vite përpara se të hyjnë në menopauzë,” shpjegon Dr Gillian. “Parashikuesi më i mirë i menopauzës është mosha në të cilën nëna juaj ka hyrë në menopauzë.” Shumë të dobishme janë edhe aplikacionet celulare për monitorimin e cikleve menstruale, përmes tyre do të keni një pasqyrë të plotë për ovulimin, ditët pjellore dhe sa zvogëlohen ato.