Edhe flokët plaken…

Edhe flokët plaken…

Në temën e plakjes, femrat janë më të ndjeshme kur bëhet fjalë për lëkurën e fytyrës. Por, vitet ndikojnë edhe te flokët, duke nxitur disa ndryshime të pakëndshme te të dy gjinitë. Procesi i plakjes së flokëve fillon shumë përpara se të vëreni thinjat dhe rrallimin e kurorës.

Çfarë e shkakton rrallimin e flokëve?

Rritja e flokëve në mënyrë natyrale ngadalësohet pas moshës 40 vjeçare, sepse qelizat nuk rigjenerohen aq shpejt sa përpara. Flokët hollohen, bëhen të thatë dhe humbasin shkëlqimin.
Menopauza është gjithashtu një shkak i zakonshëm i rënies së flokëve te gratë e moshuara. Hulumtimet treguan se humbja e flokëve në menopauzë mund të shkaktohet nga niveli i ulët i estrogjenit dhe progesteronit, gjë që rezulton me humbjen e folikulave.

As me ndihmën e produkteve më të shtrenjta të kujdesit, nuk do t’u kundërviheni proceseve natyrore, por kjo nuk do të thotë që nuk do t’i ngadalësoni ato. Nëse jeni të disiplinuar me kujdesin, por edhe me ushqimin, flokët tuaj padyshim do të mbeten të shëndetshëm.

Prej ku të filloni nëse jo nga ushqimi?!

Flokët vazhdimisht rriten dhe ndryshojnë, prandaj është e rëndësishme që folikulat të krijojnë fije të reja duke u bazuar në materiet ushqyese që i jepni trupit tuaj. Ushqimi që konsumoni krijon një skalp të shëndetshëm, kurse skalpi i shëndetshëm krijon flokë të fortë.

Proteinat: Keratina është proteina përgjegjëse për strukturën e flokut. Kur nivelet e proteinave janë të ulëta, prodhimi i kësaj njësie themelore ndërtuese (keratina) ngadalësohet, duke shkaktuar ngadalësimin e rritjes së flokëve, kurse flokët që rriten janë dukshëm më të dobët. Përpiquni të konsumoni edhe ushqime me përmbajtje të lartë proteinash, si mish pule ose gjeldeti, peshk, arra, tërshërë, gjizë, për të përmirësuar nivelin e proteinave në trup.

Biotina: Kur biotina vjen në kontakt me enzimat qelizore, ajo stimulon prodhimin e aminoacideve të cilat janë njësitë ndërtuese të proteinave të përmendura më lartë (keratina). Përfshirja e vezëve, karotave, bajameve, arrave dhe lulelakrës në ushqimin tuaj mund të përmirësojë nivelet e biotinës.

Hekuri: Hekuri në qelizat e kuqe të gjakut siguron oksigjen ushqyes për folikulat e flokëve. Megjithëse sasia e hekurit në gjak mund të jetë normale, sërish ekziston mundësia që të keni ferritinë të ulët (“banka” e hekurit nga e cila trupi juaj merr sipas nevojës). Mund të rrisni nivelet e ferritinës duke ngrënë ushqime të pasura me hekur, si mish viçi, fruta deti, vezë, sojë, ton, tofu, spinaq, fasule, kakao, fara hithre.

Zinku: Zinku ndihmon në forcimin e folikulave dhe parandalimin e rënies së flokëve duke marrë pjesë në lidhjen e proteinave. Gjithashtu, ai ruan funksionin e gjëndrave të yndyrës, duke parandaluar në këtë mënyrë tharjen e lëkurës së kokës dhe shfaqjen e zbokthit. Gocat e detit, gaforrja, karavidhja, midhjet janë disa nga burimet më të mira të zinkut. Por, nëse nuk jeni pas ushqimeve të detit, provoni mish të kuq, kërpudha, fara liri ose ndonjë suplement.

Materie të tjera ushqyese: Shumica e vitaminave, duke përfshirë vitaminat A, B, C, D dhe E, janë thelbësore për shëndetin e flokëve. Vitamina A është e mirënjohur për ndihmën që u jep gjëndrave yndyrore për të prodhuar sebum, yndyra që hidraton skalpin e kokës dhe ruan lagështinë natyrore të flokëve dhe që zvogëlohet me kalimin e moshës.

Lani flokët më rrallë

Me anë të larjes hiqen vajrat natyralë që hidratojnë flokët. Larja më e rrallë mund të zvogëlojë tharjen e flokëve, kështu që majat do të thyhen më pak. Lani flokët më së shumti 2 herë në javë dhe përdorni shampo të thatë gjatë ditëve mes dy larjeve. Shmangni produktet e flokëve që përmbajnë sulfate, pasi ato heqin thellësisht vajrat natyralë nga skalpi. Janë aq agresive sa mund të heqin edhe ngjyrën nga floku. Përdorni një shampo të butë për flokë të ndjeshëm (senzitiv), madje edhe për fëmijë.

Zgjidhni një model flokësh të përshtatshëm

Nuk është e nevojshme t’i shkurtoni shumë flokët sapo të keni arritur një moshë të caktuar, shumica e njerëzve kanë vetëm maja të holla. Ju mund të keni flokë të gjatë e të bukur ashtu që do t’i prisni në shtresa (shkallë) për të krijuar iluzionin e vëllimit. Në vend që t’i lidhni flokët fort, provoni stile të relaksuara që nuk bëjnë shumë tension në rrënjë. Për të shmangur fërkimin gjatë gjumit, mbështillni kokën me një shami mëndafshi ose përdorni këllëfë jastëku nga mëndafshi. Për të mos i shkulur fijet e flokëve, përdorni një krehër me dhëmbë të gjerë dhe shmangni stilimin me nxehtësi (tharëse, hekur) sa më shpesh të jetë e mundur!