Fakte më pak të njohura për osteoporozën

Fakte më pak të njohura për osteoporozën

Osteoporoza është një sëmundje sistemike metabolike e kockave, e cila karakterizohet nga reduktimi i masës kockore dhe ndryshimet në strukturën e kockave, që rezulton me rritjen e brishtësisë së tyre.

Vetë fjala osteoporozë vjen nga termi “kocka poroze”, dhe paraqet formën më të zakonshme të sëmundjes së kockave e cila vjen me moshën.

Është vlerësuar se rreth 8% e popullsisë në botë vuan nga osteoporoza. Rreth 80% e pacientëve me osteoporozë janë femra, kurse rreth 20% janë meshkuj.

Llojet e osteoporozës

Osteoporoza zhvillohet si gjendje primare ose sekondare.

OSTEOPOROZA PRIMARE

Osteoporozën primare e përbëjnë rreth 95% të rasteve dhe dallohen 3 forma të saj:

Osteoporoza idiopatike është e rrallë, kurse shkaqet e paraqitjes janë të panjohura. Shfaqet te fëmijët dhe të rinjtë që kanë nivele normale të hormoneve dhe vitaminave, te të cilët nuk ekziston një arsye e dukshme për dobësimin e kockave.

Osteoporoza e tipit 1 është pasojë e rritjes së aktivitetit të osteoklasteve. Është 6 herë më e zakonshme te femrat dhe shkaktohet nga mungesa e estrogjenit, hormonit seksual femëror, i cili ndihmon në rregullimin e kalciumit te kockat e femrave. Shfaqet nga mosha 51 deri në 75 vjeç.

Niveli i ulët i testosteronit te meshkujt rrit aktivitetin e osteklasteve, kështu që përsëri shfaqet osteoporoza e tipit 1. Te kjo formë e osteoporozës, shpesh ndodhin fraktura kompresive të shtyllës kurrizore ose thyerje tipike të kyçit dhe ashtit rrezor.

Osteoporoza e tipit 2 (senile) shfaqet si pasojë e një zvogëlimi normal, gradual të numrit dhe aktivitetit të osteoblasteve. Ajo paraqitet si rezultat i plakjes. Shfaqet te njerëzit pas moshës 60 vjeçare dhe është 2 herë më e shpeshtë te gratë. Gratë e moshuara shpesh kanë një kombinim të osteoporozës së tipit 1 dhe 2. Te ato vjen deri në fraktura kompresive të shtyllës kurrizore, fraktura të qafës, femurit, kockës së krahut sipër bërrylit dhe legenit.

porozni koski

OSTEOPOROZA SEKONDARE

Osteoporoza sekondare është përgjegjëse për rreth 5% të të gjitha rasteve të kësaj sëmundjeje, si dhe lidhet me sëmundje të tjera ose ilaçe. Shfaqjen e saj mund ta shkaktojnë sëmundjet endokrine, sëmundjet e palcës së eshtrave, sëmundjet kronike, gjendjet deficitare, çrregullimet e lindura të metabolizmit, ilaçet dhe disa substanca të tjera.

Faktorët e rrezikut

Një numër i madh i faktorëve të rrezikut mund të rrisin gjasat e zhvillimit të osteoporozës, të tilla si mosha, mënyra e jetesës, gjendjet mjekësore, barnat, etj.

FAKTORËT E PANDRYSHUESHËM TË RREZIKUT

Disa nga faktorët e rrezikut për osteoporozën janë jashtë kontrollit tonë:

  • Gjinia – femrat kanë një rrezik më të lartë të zhvillimit të osteoporozës.
  • Mosha – sa më i moshuar të jeni, aq më i lartë është rreziku i osteoporozës.
  • Historia familjare e osteoporozës – nëse keni prindër ose të afërm me osteoporozë, jeni të ekspozuar ndaj një rreziku më të lartë.
  • Pesha e trupit – personat që kanë peshë trupore më të vogël, janë të ekspozuar ndaj rrezikut më të lartë nga kjo sëmundje.

HORMONET

Osteoporoza paraqitet më shpesh te personat që kanë më tepër ose më pak hormone të caktuara në trup.

Hormonet seksuale – Ulja e niveleve të estrogjenit në menopauzë është një nga faktorët më të fuqishëm të rrezikut për zhvillimin e osteoporozës te gratë. Disa terapi për trajtimin e kancerit mund të shkaktojnë ulje të niveleve të estrogjenit te gratë. Plakja dhe disa terapi për kancerin e prostatës mund të ulin nivelet e testosteronit te meshkujt. Niveli i zvogëluar i hormoneve seksuale shkakton dobësimin e eshtrave.

Problemet me gjëndrën tiroide – Rritja e niveleve të hormoneve tiroide mund të shkaktojë humbje të masës kockore.
Gjëndrat e tjera – Osteoporoza lidhet gjithashtu me hiperaktivitetin e gjëndrës paratiroide dhe gjëndrës mbiveshkore.

MUNGESA E MATERIEVE USHQYESE

Osteoporoza është më e zakonshme te personat që kanë:

Mungesë të kalciumit – Mungesa e kalciumit luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e osteoporozës, gjegjësisht marrja e pamjaftueshme e kalciumit kontribuon në reduktimin e masës kockore dhe rrit rrezikun e thyerjes së kockave.

Çrregullimi i të ushqyerit – Personat me mungesë oreksi kanë një rrezik më të lartë për zhvillimin e osteoporozës.

tipovi na osteoporoza

BARNAT

Përdorimi afatgjatë i barnave kortikosteroide mund të pengojë procesin e rigjenerimit të kockave.

MËNYRA E JETESËS

Disa zakone të këqija të jetesës mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të osteoporozës:

  • Aktiviteti fizik i pamjaftueshëm dhe i papërshtatshëm
  • Konsumimi i tepërt i alkoolit dhe kafesë
  • Pirja e duhanit

Pse femrat janë më të prirura ndaj osteoporozës?

Rreziku i shfaqjes së osteoporozës te femrat është më i lartë, për arsye se femrat kanë kocka më të vogla dhe më të holla se meshkujt. Por, ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që i bëjnë ata më të ndjeshme ndaj kësaj sëmundje, si dështimi i parakohshëm i vezoreve dhe menopauza.

Kur vezoret nuk e kryejnë rregullisht funksionin e tyre dhe gruaja nuk i ka mbushur ende 40 vjeç, kjo konsiderohet si dështim i parakohshëm i funksionit të tyre. Menopauza mbetet një nga shkaktarët më të shpeshtë të osteoporozës, sepse në këtë periudhë të jetës së gruas ulet niveli i estrogjenit dhe si pasojë intensifikohet procesi i zbërthimit të indit kockor.

Simptomat

Nuk ka simptoma shumë të dukshme për osteoporozën dhe shenja më e zakonshme që tregon ekzistencën e osteoporozës, është në fakt thyerja e kockave edhe gjatë një dëmtimi joserioz, siç është një rrëzim i thjeshtë.

Simptomat shoqëruese:

  • Zvogëlim gradual i lartësisë së trupit
  • Dhimbje shpine
  • Dhimbje që i ngjan dhimbjeve të muskujve ose kyçeve, por në fakt është si rezultat i çarjeve të vogla në kocka për të cilat njerëzit shpesh nuk janë të vetëdijshëm.

Diagnoza

Diagnoza e osteoporozës përcaktohet në bazë të historisë ekzistuese mjekësore në kombinim me një ekzaminim fizik nga mjeku dhe kryerjen e një testi për të përcaktuar densitetin mineral të kockave. Është shumë e rëndësishme që gratë të shkojnë për ekzaminim edhe para se të hyjnë në menopauzë.

Një metodë e sigurt për zbulimin e osteoporozës është densitometria, gjegjësisht matja e densitetit mineral të kockave. Ndryshimet në shtyllën kurrizore zbulohen më herët sesa në ijë, por te personat e moshuar, ijët janë tregues më i mirë sepse spondiloza mund të fshehë osteoporozën.

Ekzaminimi densitometrik rekomandohet për gratë mbi moshën 65 vjeç, si dhe për gratë me faktorë rreziku për osteoporozë të cilat janë midis moshës 50 dhe 65 vjeç.

rizik za osteoporoza

Mjekimi

Nuk ka një kurë specifike për osteoporozën, kështu që trajtimi është një kombinim i barnave dhe ndryshimit të stilit të jetesës. Në varësi të moshës, gjinisë dhe historisë mjekësore, për çdo pacient duhet të përcaktohet trajtimi më i përshtatshëm. Qëllimi është të forcohen kockat në mënyrë që ato të bëhen më pak të prirura për t’u thyer.
Ndryshimi i parë që duhet të bëni është të aktivizoheni – filloni me shëtitjet e përditshme. Nëse vendosni të ushtroni, zgjidhni një profesionist për t’ju udhëhequr, siç është një fizioterapist me përvojë.

Për pacientët që vuajnë nga osteoporoza, si alternativë më e mirë konsiderohet stërvitja që përfshin ngritjen e peshave ose ushtrimet për forcimin e muskujve duke përdorur peshën e trupit.

Ecja e shpejtë, vrapimi, tenisi dhe volejbolli, si dhe ushtrimet për të përmirësuar ekuilibrin janë zgjedhje po aq të mira, veçanërisht ato për ekuilibër pasi mund të zvogëlojnë rrezikun e rrëzimit në të ardhmen.

Disa nga ushtrimet më të mira për të përmirësuar ekuilibrin janë:
  • Tai chi
  • Qëndrimi me këmbë të bashkuara
  • Qëndrimi në njërën këmbë
  • Ecja praptas

Ruajtja e një peshe normale trupore si dhe zvogëlimi i peshës së tepërt është një hap i domosdoshëm në menaxhimin me sukses të osteoporozës.

Është më mirë që alkooli të shmanget krejtësisht, megjithëse hulumtimet tregojnë se nëse konsumi i alkoolit reduktohet në vetëm 2 pije në ditë, nuk do të ishte i rrezikshëm për fortësinë e kockave.

Ndërkohë, përpiquni të mos rrëzoheni, ashtu që do ta rregulloni shtëpinë tuaj që të mund të lëvizni lirshëm, të vishni këpucë të rehatshme dhe të mbani syze nëse është e nevojshme.

Pse artriti reumatoid rrit rrezikun e osteoporozës?

Njerëzit që vuajnë nga artriti reumatoid përballen me nyje të dhimbshme ose të ngurtësuara, dhe kjo gradualisht i dobëson kockat duke i bërë ato të prirura ndaj frakturave.

Arsyet konkrete se pse artriti reumatoid rrit rrezikun e osteoporozës janë:

Inflamacioni: Kur keni AR, keni inflamacion në të gjithë trupin tuaj, veçanërisht në nyje. Ato mund të ënjten dhe plasariten. Kjo mund të dobësojë kockat rreth nyjeve të prekura nga AR, si p.sh. kyçet e dorës. Trupat tanë janë krijuar posaçërisht për të qenë në gjendje të prodhojnë masë kockore me të cilën do të zëvendësohet kocka e dëmtuar. Por, inflamacioni i artritit reumatoid e ndërpret këtë cikël, madje edhe përshpejton humbjen e masës kockore. Për shkak të kësaj, kockat bëhen më të dobëta dhe kjo rezulton me osteoporozë. Inflamacioni gjithashtu mund ta vështirësojë përthithjen e materieve ushqyese për të cilat kockat kanë nevojë që të qëndrojnë të forta, si kalciumi ose vitamina D.

Dhimbja: Artriti reumatoid shkakton ngurtësi, dhimbje dhe lodhje, madje edhe ngritja nga shtrati bëhet e vështirë. Nëse nuk jeni fizikisht aktiv, kockat tuaja do të fillojnë të dobësohen me kalimin e kohës. Nëse artriti reumatoid është ai që ju pengon të jeni aktiv, atëherë padyshim që jeni të ekspozuar ndaj një rreziku më të lartë nga osteoporoza.

Barnat steroide: Barnat kortikosteroide si prednizoni, mund të dobësojnë eshtrat tuaja nëse i merrni për një kohë të gjatë. Disa njerëz me artrit reumatoid detyrohen të marrin këto barna për të kontrolluar inflamacionin. Barnat mund të lehtësojnë shpejt dhimbjen dhe ënjtjen në mënyrë që të mund të lëvizni përsëri. Por, ato gjithashtu mund t’ia vështirësojnë trupit tuaj përthithjen e kalciumit dhe vitaminës D që merrni përmes ushqimit, diellit ose suplementeve, të cilat janë të nevojshme për të ndërtuar një skelet të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Rreziku nga osteoporoza është akoma më i lartë nëse jeni një grua në menopauzë dhe keni marrë steroide në periudhë prej 6 muajsh ose më shumë.