Lëndimet sportive të këmbës

Lëndimet sportive të këmbës

77% e njerëzve ankohen për dhimbje në këmbë, e kur na dhembin këmbët, na dhemb gjithçka. Prandaj – uluni, hiqni këpucët, ngrini këmbët dhe për herë të parë kushtoni atyre vëmendje.

Këmbët janë baza e çdo lëvizjeje dhe pikërisht për këtë na dhembin më shpesh dhe shumë fortë. Injorimi i dhimbjes së këmbëve, diçka që të gjithë e kemi bërë, mund të ketë pasoja serioze në të gjithë sistemin skeletor. Kushtoni vëmendje 5 shkaktarëve më të rrezikshëm të dhimbjes, të nxitura nga stërvitja intensive.

TENDINOPATIA E AKILIT

Ja se për çfarë bëhet fjalë: Inflamacioni i tendinit të Akilit (zgjatet nga muskuli i këmbës poshtë gjurit në pjesën e pasme deri të thembra) shkakton dhimbje të forta dhe nëse nuk trajtohet, mund të çojë në tendosje ose këputje të tendinit.

Shfaqet: Si rezultat i zgjatjes së përsëritur nga ushtrimet intensive ose ngrohjes së pamjaftueshme para stërvitjes intensive.

Si të ndihmoni veten: Ushtroni nga 30 deri në 60 minuta me një intensitet më të ulët. Aplikoni akull te vendi i lënduar për rreth 15 minuta, 4 deri në 6 herë gjatë ditës. Duke forcuar muskujt e pulpës, do të lehtësoni presionin e tendinit dhe do të shërohet më shpejt. Nëse vëreni se po lëvizni në mënyrë të pazakontë, apo akoma më keq filloni të çaloni, shkoni te mjeku!

NYJË E NDRYDHUR

Ja se për çfarë bëhet fjalë: Nyja e ndrydhur është një term i përgjithshëm për ligamentet e ndrydhura (lehtë), pjesërisht të këputura (mesatarisht) dhe tërësisht të këputura (rëndë) në secilën anë të nyjës së këmbës. Këto ligamente e mbajnë stabilitetit e nyjave.

Shfaqet: Ka shumë mundësi që ta keni kthyer këmbën kur keni shkelur në ndonjë sipërfaqe jo të rrafshët.

Si të ndihmoni veten: A mund të ecni pa u përkulur? Nëse mundeni, atëherë merrni vetëm një analgjezik për të lehtësuar dhimbjen dhe kërkoni në farmaci diçka kundër inflamacionit. Aplikoni akull në zonën e dëmtuar për rreth 15 minuta për të reduktuar ënjtjen. Dhimbja duhet të tërhiqet gradualisht brenda një jave. Sërish vini re ënjtje? Shkoni të mjeku – ndoshta keni nevojë për një allçi (longetë).

FRAKTURË STRESI

Ja se për çfarë bëhet fjalë: Një çarje e vogël në kockën e këmbës e cila zhvillohet me kalimin e kohës dhe krijon dhimbje të fortë që përkeqësohet nëse e shpërfillni.

Shfaqet: Si pasojë e aktivitetit të tepërt, për një kohë të gjatë, shumë shpesh.

Si të ndihmoni veten: Sa më herët e diagnostifikoni këtë gjendje, aq më mirë! Fraktura e stresit mund të ngadalësojë ritmin e jetës suaj deri në 10 muaj nëse nuk reagoni në kohë. Vrapimi dhe sportet e kërcimit ndalohen për të paktën një muaj. Flisni me mjekun tuaj në lidhje me atë që ju lejohet të ushtroni në të ardhmen dhe punoni në përmirësimin e densitetit të kockave (zmadhoni dozën e vitaminës D dhe kalciumit në ushqimin tuaj).

FASCITI PLANTAR

Ja se për çfarë bëhet fjalë: Një dhimbje e shurdhër, më pas e mprehtë dhe therëse në mes të pjesës së poshtme të thembrës e cila përkeqësohet gjatë orëve të mëngjesit.

Shfaqet: Gjatë aktiviteteve fizike në të cilat presioni bie më së shumti te thembrat, për shembull vrapimi i gjatë, ecja ose baleti. Kjo gjendje mund të shkaktojë inflamacion të tendinit të Akilit.

Si të ndihmoni veten: Për të relaksuar fascinë (indin e butë lidhës që lidh eshtrat, muskujt, nervat, etj.), vendosni një top tenisi nën këmbët tuaja dhe lëvizni atë për disa minuta në ditë. Nëse simptomat nuk përmirësohen pas dy javësh, konsultohuni me mjekun, ndoshta ju duhet një imobilizues për orët e natës. Në rastet ekstreme kur dhimbja asesi nuk ulet, rekomandohet një injeksion kortikosteroid.

LËKURË E DËMTUAR

Për çfarë bëhet fjalë: Fshikëzat dhe fenomenet e ngjashme e mbrojnë lëkurën nga fërkimi dhe inflamacioni.

Shfaqet: Për shkak të mbajtjes së atleteve të ngushta dhe të parehatshme për vrapim, të cilat shkaktojnë fërkime dhe presion të madh në një zonë të caktuar të lëkurës.

Si të ndihmoni veten: Lërini fshikëzat të tërhiqen vetë. Nëse i prekni ose përpiqeni t’i hiqni, jo vetëm që do të ndjeni dhimbje, por do ta ekspozoni lëkurën ndaj infeksioneve. Reagoni vetëm në ratet kur fshikëza e bën të pamundur ecjen dhe lëvizjen e gishtave të këmbës. Në këtë rast, mjeku mund të heqë fshikëzën me një gjilpërë të sterilizuar dhe të mbulojë zonën me një antibiotik dhe fashë.

Terapi / REFLEKSOLOGJI

Do të gaboni nëse e quani masazh këmbësh. Redukton ankthin dhe përmirëson qarkullimin në të gjithë trupin. Duke përdorur gishtat e mëdhenj, shtypni fort këto pjesë të shputës së këmbës për të ndjerë lehtësim.

Për stres dhe dhimbje në shpinë: Përgjatë harkut të shputës së këmbës.

Ënjtje: Mesi i pjesës së poshtme nga ana e pasme të këmbës.

Dhimbje koke: Midis gishtave të këmbës, veç e veç.

Presioni i sinusit: Pjesët e buta të gishtave.