Shtëpia e përmirëson shëndetin mendor dhe fizik…

Shtëpia e përmirëson shëndetin mendor dhe fizik…

Dekoroni atë me zgjuarsi

A arrini të çlodheni në shtëpi pas një dite të vështirë? A ju jep ambienti i shtëpisë një ndjenjë qetësie dhe rehatie? Nëse përgjigjja është negative, është koha për ta riorganizuar, sepse dizajni dhe organizimi i hapësirës së jetesës, kanë një ndikim të madh te shëndeti. Dizajni luan rol themelor në ruajtjen e ekuilibrit delikat midis trupit dhe mendjes. Prandaj, nëse hapësira e jetesës është rregulluar me kujdes, ajo do të ketë fuqinë për të rigjeneruar organizmin. Ambienti i brendshëm ndikon në disponim, nivelet e stresit, madje edhe në funksionin njohës.

Shfrytëzoni dritën natyrale

Drita natyrale është një mjet i fuqishëm për të përmirësuar mirëqenien e përgjithshme. Ekspozimi ndaj rrezeve të diellit përmirëson disponimin, përmirëson gjumin dhe rrit produktivitetin. Konsideroni zmadhimin e dritës natyrore duke zgjedhur dritare më të mëdha, kujdesuni që pozita e mobiljeve të mos e pengojë depërtimin e dritës së diellit, zgjidhni sipërfaqe reflektuese që do të shpërndajnë dritën në të gjithë hapësirën dhe hiqni perdet e errëta. Mos lejoni që llambat të rrinë ndezur, veçanërisht kur e keni diellin për këtë.

Sillni një pjesë të natyrës në shtëpi

Transformimin më të madh të humorit negativ në humor pozitiv e nxit gjelbërimi, prandaj, çdo shtëpi mund të lejojë pak gjelbërim. Shikimi i gjelbërimit i pushon sytë pas një kohe të gjatë duke lexuar një libër apo duke parë televizor. Por, miqtë tuaj të gjelbër zgjidhni me zgjuarsi, pasi disa mund të jenë helmues për shëndetin tuaj, ndërsa të tjerët mund të pastrojnë ajrin. Sansevieria, zambaku jeshil, krizantema, aloe vera, dredhka, bambuja, janë disa nga bimët që pastrojnë ajrin nga dëmtuesit e rëndë si benzeni, formaldehidi, trikloroetileni, ksileni, monoksid karboni dhe amoniaku. Filodendroni, oleandri dhe kaladiumi përmbajnë kristale oksalate kalciumi që mund të jenë helmuese nëse gëlltiten.

Përdorni paleta qetësuese ngjyrash dhe teksturash

Ngjyrat dhe teksturat kanë një ndikim të madh ndaj mirëqenies emocionale. Ngjyrat e buta dhe të heshtura si e kaltra dhe e gjelbra ngjallin një ndjenjë qetësie, ndërsa tonet e ngrohta neutrale si kapuçino ose fildishi mund të krijojnë një atmosferë të rehatshme. Përfshini këto tone qetësuese në dekorin tuaj përmes ngjyrave të murit, mobiljeve ose mbulesave dhe këllëfeve të jastëkëve. Për më tepër, konsideroni përfshirjen e teksturave të buta si qilima kadifeje ose mbulesa pambuku për të përmirësuar komoditetin e përgjithshëm të hapësirës suaj të jetesës.

Krijoni një kënd relaksi

Shtëpia juaj duhet të ketë një ose më shumë zona të qeta të caktuara për t’u çlodhur, por edhe për të menduar. Mund të jetë një kënd në dhomën e gjumit ose në cilëndo dhomë ku depërton drita natyrale. Shtoni më shumë rehatinë me jastëkë të butë ose lëvizni kolltukun tuaj të preferuar pikërisht aty. Ai le të jetë vendi ku do të notoni në mendimet tuaja më intime. Shumë njerëz çlirojnë stresin nën dush. Nëse kjo vlen edhe për ju, përpiquni ta bëni ritualin akoma më relaksues duke ndezur herë pas here një qiri aromatik ose duke shtuar vaj esencial në banjën e ngrohtë. Ritualet dhe zonat e qetësisë padyshim kontribuojnë për një mënyrë jetese më të ekuilibruar.

Përgatitni një pije për qetësim

Gjatë viteve tuaja të punës, me siguri është kafeja ajo që pini ndërsa përgatiteni për në punë, ose pas drekës në vendin tuaj të preferuar. Psikologët thonë se nevoja për kafe nuk nënkupton gjithmonë nevojën për kafeinë, aq sa nënkupton nevojën për të kthjelluar mendimet dhe për të planifikuar ditën. Nëse nuk jeni pas kafesë, atëherë le të jetë një kakao e ngrohtë, çaj, lëng i shtrydhur, çfarëdo qoftë, që do ta pini i vetëm në zonën tuaj të sigurt.

Receta e sugjeruar: “CHAI LATTE”

Përbërësit e nevojshëm:

  • 2 gota ujë
  • 2 qeska me çaj të zi
  • 2 karafila
  • 1 lugë çaji kanellë
  • ½ lugë çaji xhenxhefil
  • 2-3 lugë çaji shurup panje ose mjaltë sipas shijes
  • 1 lugë çaji arrëmyshk
  • ¾ gotë qumësht (mund të jetë edhe me origjinë bimore)

Përgatitja:

Në një tenxhere hidhni 2 gota ujë të ziejnë. Shtoni qeskat e çajit dhe erëzat. Zvogëloni temperaturën në minimum dhe lereni të ziejë për 5-7 minuta. Shtoni qumështin dhe vazhdoni me zierjen në zjarr të ulët, duke e përzier herë pas here. Ëmbëlsojeni me shurup panje dhe sipas dëshirës shtoni ekstrakt vanilje dhe pak piper të zi. Kulloni pijen para se ta shërbeni.