Stërvitje gjatë muajve të dimrit

Stërvitje gjatë muajve të dimrit

Stërvitja në temperatura më të ulëta ofron shumë përparësi!

Temperaturat e ulëta nuk duhet të jenë justifikim për t’u mbyllur në shtëpi gjatë gjithë kohës. Shëtitjet malore ju ofrojnë ajër të pastër, por edhe mundësi për të qëndruar në formë.

“Pavarësisht se a jeni 30, 40 ose 50 vjeç, ju ende mund të shijoni aktivitetin fizik në ambient të hapur – si në verë ashtu edhe gjatë dimrit. Ecja, vrapimi i lehtë, vrapi apo ushtrimet e thjeshta për shtrirje, çfarëdo që të praktikoni, mbani mend se ambienti i hapur është shumë më i sigurt nga viruset sesa ambienti i mbyllur”, thotë Dr. Adam Tenford, docent i mjekësisë sportive dhe rehabilitimit në Universitetin e Harvardit.

Përparësitë e stërvitjes dimërore

Dimri mund të ofrojë përfitime të cilat nuk i merrni në verë. Për shembull, moti i ftohtë mund të përmirësojë qëndrueshmërinë.

“Në temperatura më të ulëta, zemra juaj nuk ka nevojë të punojë aq fuqishëm, djersitni më pak dhe përdorni më pak energji, që do të thotë se mund të stërviteni në mënyrë më efikase”.

Hulumtimet kanë treguar gjithashtu se gjatë stërvitjes në temperatura të ulëta, trupi përdor depozitat e yndyrës në bark dhe kofshë si kalori të djegshme.

Përveç kësaj, stërvitjet dimërore ju ndihmojnë të ekspozoheni ndaj rrezeve të diellit, të cilat mund të ndihmojnë në shmangien e çrregullimeve afektive sezonale, një lloj depresioni të cilin disa njerëz e përjetojnë gjatë muajve të dimrit.

Edhe pse stërvitja në mot të ftohtë është e sigurt për shumicën e njerëzve, nëse keni gjendje të caktuara, të tilla si astma ose probleme me zemrën, konsultohuni me mjekun tuaj për të diskutuar çdo masë të veçantë të kujdesit që duhet të ndërmerrni bazuar në gjendjen tuaj ose barnat që konsumoni.

Të ndiheni sa më komod në ambient të hapur

Respektoni motin e ftohtë për t’u siguruar që jeni përgatitur në mënyrë të përshtatshme, njëjtë siç do të bënit me nxehtësinë dhe lagështinë e verës. Ja disa këshilla se si të qëndroni të sigurt dhe të shëndetshëm ndërsa shijoni stërvitjet gjatë motit të ftohtë.

Vishuni me shtresa. Vishni rroba të cilat mund t’i hiqni lehtësisht dhe t’i vishni përsëri sipas nevojës. Filloni me një shtresë të hollë nga materiali sintetik, siç është polipropileni, i cili e largon djersën nga poret.

Më pas, vishni rroba leshi për izolim. Shmangni rrobat e pambukut, sepse pambuku e thith djersën, dhe nga rrobat e lagura do të keni ftohtë akoma më shumë. Shtresa e fundit le të jetë veshje rezistente ndaj ujit por me ajrosje.

Mbroni kokën, duart dhe këmbët. Kur është ftohtë, rrjedha e gjakut përqendrohet në pjesën qendrore të trupit për t’ju ndihmuar të ngroheni, por kjo e bën kokën, duart dhe këmbët të ndjeshme ndaj të ftohtit. Vishni doreza të mbështjellura me lesh, çorape të ngrohta dhe kapele leshi, kurse sytë mbroni nga era dhe drita me një palë syze të errëta.

Aplikoni krem ​​kundër diellit. Dielli i dimrit e djeg lëkurën njëlloj si dielli i verës. Rreziku rritet nëse jeni të rrethuar nga bora, pasi bora i reflekton rrezet e diellit. Aplikoni SPF 30 i cili i bllokon të dy llojet e rrezeve ultravjollcë – UVA dhe UVB, si dhe balsam buzësh.

Qëndroni të hidratuar. Edhe pse ndoshta mund të mos keni nevojë për të njëjtën sasi të lëngjeve si gjatë periudhës së verës, megjithatë duhet të mbani të njëjtën qasje ndaj hidratimit. “Pini ujë para, gjatë dhe pas stërvitjes dhe sigurohuni që të mos ju marrë etja”, thotë Dr. Tenford.

“Mos harroni të ndiqni se si ndihet trupi juaj gjatë stërvitjes në mot të ftohtë”, thotë Dr. Tenford. “Ta shijoni stërvitjen në ambient të hapur duke qenë të sigurt, është përparësi!”

Ngrohja para stërvitjes është e detyrueshme!

Kur muskujt nuk janë të ngrohur për stërvitje, ata janë të ekspozuar ndaj një rreziku më të madh nga tendosja dhe lëndimi. “Mos filloni me shtrirje statike, pasi kjo rrit akoma më shumë rrezikun nga lëndimet”, thotë doktor Adam Tenford. “Format më dinamike të shtrirjes që mbajnë pjesët e trupit në lëvizje, më shpejt i lirojnë nyjet, stimulojnë qarkullimin, ngrohin muskujt dhe indet,” thotë ai.

Kujdes nga hipotermia

Stërvitja gjatë motit të ftohtë e rrit rrezikun e hipotermisë (një rënie anormale e temperaturës së trupit). Kërkoni ndihmë urgjente menjëherë nëse shfaqen simptoma të tilla si dridhje intensive, lodhje ekstreme, të folur të paqartë ose çorientim. Gjithmonë njoftoni dikë kur dilni jashtë dhe merrni telefonin celular me vete.