Kur bukuria vjen nga brenda

Kur bukuria vjen nga brenda

Fije më të gjata, më të forta flokësh përmes proteinave

Aq sa janë të mira për fijet e muskujve, po aq janë të mira edhe për fijet në kokë – proteinat janë lëndë ushqyese të shkëlqyera për folikulat.

Si t’i përdorni ato, për të ndjerë përfitimet deri në lëkurën e kokës?

Përmes ushqimit
Këto materie mikroushqyese dhe aminoacidet si blloqe ndërtuese në strukturën e qelizave, janë të rëndësishme për rritjen e duhur dhe të shëndetshme të flokëve dhe për formimin e keratinës – përbërësi kryesor strukturor i flokëve. Konsumimi i proteinave me prejardhje shtazore është mënyra më e mirë për të marrë dozën e nevojshme ditore të aminoacideve forcuese. Por, nëse jeni vegan ose vegjetarian, ekzistojnë alternativa që do t’ju sigurojnë sasinë optimale. Sa i përket sasisë, ekspertët e fushës thonë se duhet të përmbaheni në 30 gramë proteina tri herë në ditë për një shëndet optimal të fijes së flokut. Nëse keni nevojë për shenja që do t’ju tregojnë se marrja e përditshme e proteinave është e pamjaftueshme, kërkoni për simptoma të tilla si mungesa e shkëlqimit, butësia, thatësia dhe humbja e flokëve në mungesë të madhe të proteinave.
Drejtpërdrejt në flokë
Zbardhimi, ndriçimi, stilimi i flokëve me pajisje ngrohëse, agresorët mjedisorë si rrezet UV, era, ajri i thatë, ndotja – të gjithë këta faktorë e dobësojnë flokun dhe i heqin lagështinë natyrale duke i shkëputur zinxhirët e aminoacideve që e formësojnë keratinën në çdo fije. Kur ato zinxhirë dëmtohen, vjen deri te thyerja e flokëve, ndarja e majave dhe ashpërsia e fijes. Produktet me bazë proteinash mund të rivendosin zinxhirët e aminoacideve dhe të mbajnë lagështinë natyrale të flokëve. Ndryshe nga pretendimet dhe mendimet e mëparshme, përdorimi i rregullt i këtyre formulave nuk do të shkaktojë paraqitjen e zbokthit. Çdo proteinë që flokët nuk do ta absorbojnë, do të mënjanohet me shpëlarjen e flokëve, kështu që bëjeni me themel. Megjithatë, trajtimet intensive mund të dëmtojnë flokët, ndaj kufizoni përdorimin në një ose dy herë në javë.

Çfarë saktësisht duhet të konsumoni?

  • Vezët janë një burim i shkëlqyer i proteinave dhe biotinës, dy komponentë që përbëhen kryesisht nga proteinat.
  • Proteinat mund t’i merrni edhe nëpërmjet kokrrave si soja ose frutave të thata si bajamet, arrat, lajthitë.
  • Peshku është një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore të cilat ruajnë dhe përmirësojnë dendësinë e flokëve.
  • Bishtajoret janë një burim i shkëlqyer i proteinave, hekurit, zinkut dhe biotinës që nxisin rritjen e flokëve.

Vitaminat B në shërbim të bukurisë

4 arsye pse duhet të filloni t’i pini që sot
Kompleksi i vitaminave B zbukuron nga brenda. Mungesa e vitaminave të grupit B e bën lëkurën të thatë dhe të prirur ndaj puçrrave, të zbehtë, thekson rrudhat, kurse gjërat shkojnë deri atje sa flokët fillojnë të thyhen dhe thonjtë bëhen të brishtë. Radikalet e lira (molekulat që sulmojnë qelizat e shëndetshme në organizëm) kontribuojnë në krijimin e shumë sëmundjeve, por janë edhe shkaku kryesor i plakjes së parakohshme. Kompleksi i vitaminave B vepron si një lloj mburoje që mbron bukurinë e përgjithshme nga efekti shkatërrues i këtyre armiqve të pamjes së re dhe të freskët.
Vitamina B është ushqim për flokët dhe folikulat. Mungesa e vitaminave B1, B2, B3 dhe B5 mund të rezultojë në fije të holla dhe të brishta, dhe me kalimin e kohës, të nxisë humbjen e flokëve. Mungesa e vitaminës B9 ngadalëson rritjen e flokëve, ndërsa vitamina B7 është e nevojshme për të mbajtur një strukturë të fortë të flokut.
Pak njerëz janë të vetëdijshëm se problemet e lëkurës, duke përfshirë skuqjen dhe një lëkurë pa gjallëri, shpesh shkaktohen nga mungesa e vitaminës B. Në veçanti, vitamina B12 rregullon pigmentimin e lëkurës dhe parandalon njollat. Vitamina B5 trajton puçrrat që i mundojnë femrat edhe pas pubertetit. Më së shpeshti kombinohet me vitaminën C, ku përmes kontrollës së nivelit të triglicerideve dhe kolesterolit në gjak, ruhet shëndeti i lëkurës.
Bukuria e thonjve varet nga një ushqim i ekuilibruar dhe i pasur. Vetëm atëherë ata do të rriten të shëndetshëm dhe të fortë. Vitamina B12 ndihmon në absorbimin e hekurit, mineralin thelbësor pa të cilin thonjtë bëhen të hollë, plasariten dhe qërohen.

Probiotikët – një hero i ri për lëkurën

Përfitimet e probiotikëve nuk ndalen vetëm te zorrët, ata i bëjnë mirë edhe lëkurës, e cila sot është nën goditje të vazhdueshme të stresit dhe ndotjes. Kur ekuilibri bakterial në zorrë prishet, gjasat janë më të mëdha që të ndodhin një sërë gjendjesh inflamatore, kurse rritja e inflamacionit në trup lidhet me një incidencë më të lartë të sëmundjeve të lëkurës. Mosbalanca bakteriale në zorrë mund të ndikojnë në mikrobiomën e lëkurës. Për shembull, rritja e tepërt e baktereve në zorrën e hollë është e lidhur me rosacea dhe puçrrat.
Një mikrobiomë e larmishme dhe e shëndetshme e zorrëve jo vetëm që nxit përthithje më të mirë të lëndëve ushqyese, por është e lidhur me shëndetin e përgjithshëm të lëkurës. Shtresat specifike në zorrë mund të synojnë mekanizma të ndryshëm në lëkurë, kurse suplementet me bazë probiotike mund ta përdorin këtë njohuri për të synuar konkretisht problemet e lëkurës.