Minutat e duhura për përkujdesje

Minutat e duhura për përkujdesje

Çdo produkt për kujdesin e lëkurës vjen me udhëzime për përdorim, por në fund të fundit, çdo produkt do t’i japë lëkurës efektin maksimal nëse e aplikoni në kohën kur ajo ka më shumë nevojë për të.

Ora 07:00 – Trajtoni rrathët e errët të syve

Pozicioni horizontal gjatë natës, në mëngjes rezulton me qeska të fryra poshtë syve. Nëse flini në jastëk të ngritur, do të zgjoheni me rrathë të errët më të vegjël, por kjo gjë do t’ju shkaktojë probleme me qafën. Prandaj, provoni një masazh të lehtë për të përtharë zonën dhe aplikoni krem ​​rreth syve për të freskuar lëkurën.

Ora 07:15 – Mbroni lëkurën nga ndotja

Ka shumë gjasa që ajri brenda zyrës tuaj të jetë më i ndotur se ai jashtë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të vitit. Kondicionerët dhe ventilatorët e kompjuterave krijojnë një re të padukshme grimcash pluhuri, fije të imta nga kondicionerët, spore nga një sërë ndotësish kimikë të emetuar nga pajisjet e zyrës, si psh. fotokopjuesit. Grimcat e tilla të dëmshme në ajër e përshpejtojnë plakjen e qelizave dhe dëmtojnë kolagjenin. Prandaj, mos dilni nga shtëpia pa 4 pika serum vitaminë C, sepse vetëm kështu do të krijoni mbrojtje të fortë antioksidante kundër radikaleve të lira që e sulmojnë lëkurën.

Ora 11:00 – Aplikoni SPF (FMD)

Rrezet e diellit janë më të forta ndërmjet orës 11:00 dhe 15:00. Një hidratues ditor me SPF 15 ose më të lartë, është i mjaftueshëm për t’ju mbrojtur në relacionin shtëpi – makinë – punë dhe për t’ju mbrojtur nga rrezet e diellit që depërtojnë nëpërmjet dritares. Sapo të vijë vera, mos harroni se për çdo ekspozim në diell, pa marrë parasysh se sa do të zgjasë, duhet një mbrojtës me SPF30.

Ora 12:00 – Kujdesuni për sebumin e tepërt

Gjëndrat prodhojnë më shumë sebum gjatë mesditës, në periudhën midis orës 12:00 dhe 14:00. Ekzistojnë arsye për këtë: së pari, gjëndrat dhjamore përpiqen të kompensojnë thatësinë duke prodhuar dyfish më shumë sebum; së dyti, një vakt i bazuar në karbohidrate mund të rrisë nivelet e insulinës, duke çuar në rritjen e prodhimit të sebumit. Me ndihmën e një pecete prej letre, fshini lehtë fytyrën për të thithur sebumin e tepërt dhe nëse është e nevojshme, korrigjoni lëkurën me pudër të thatë.

Ora 13:00 – Mbroni lëkurën tuaj nga ekrani

Drita blu që e emetojnë ekranet dhe telefonat inteligjentë është e dëmshme për lëkurën, veçanërisht kur ajo ekspozohet për një kohë të gjatë. Jo vetëm që shteron ujin nga qelizat, por e përshpejton edhe plakjen e tyre. Prandaj, është mirë të mbani me vete një krem ​​për korrigjimin e rrudhave dhe linjave të holla ose një serum të veçantë për mbrojtjen nga drita blu.

Ora 14:00 – Freskoni lëkurën

Temperatura e trupit bie gjatë natës si pasojë e ritmit cirkadian i cili na përgatit për gjumë. Deri në orën 16:00, temperatura e trupit është për një shkallë më e lartë se temperatura e matur në orën 4:00 të mëngjesit. Nëse skuqeni lehtë ose punoni në natyrë, bëjeni zakon që të freskoni lëkurën e fytyrës tuaj me ujë micellar ose sprej me minerale.

Ora 19:00 – Pastrojeni lëkurën thellësisht

Mjedisi jetësor urban dhe dinamik, poashtu edhe grimi, janë bllokuesit kryesorë të poreve, kurse poret e bllokuara çojnë në paraqitjen e pikave të zeza dhe puçrrave në fytyrë. Prandaj, pastrimi i thellë është një hap të cilin nuk guxoni ta anashkaloni nëse dëshironi një lëkurë të shndritshme dhe të shëndetshme. Qumësht, tonifikues, vaj, ujë micellar, nuk ka rëndësi se çfarë formule pastrimi përdorni për sa kohë që jeni të sigurt se papastërtia është mënjanuar. Një herë në javë është mirë të bëni edhe eksfolim.

Ora 22:00 – Mbështesni rigjenerimin natyror

Mes orës 23:00 dhe 4:00 të mëngjesit, lëkura hyn në një fazë shërimi. Shfrytëzoni këtë për të stimuluar rigjenerimin e qelizave (zëvendësimin e qelizave të dëmtuara me të reja) me ndihmën e një serumi me retinol, e më pas “sulmoni” lëkurën tuaj me një valë hidratimi me një krem hidratues ​​intensiv.

Minutat e gabuara për përkujdesje

Aplikimi i kremit të syve para gjumit

Qëllimi i kremit të syve është t’ju bëjë të dukeni të freskët, të pushuar dhe gjithashtu për të ngadalësuar procesin e plakjes në zonën e parë të goditjes. Por, nëse e aplikoni para gjumit, mund të ketë efekt të kundërt. Kremrat që janë të vështirë për t’u absorbuar, migrojnë lehtësisht brenda syrit, sepse jeni në pozitë të shtrirë. Rezultati në mëngjes: sy të ënjtur dhe të përgjakur. Prandaj, aplikoni një sasi shumë të vogël (sa madhësia e një bizeleje) kremi për sy duke e prekur lehtë me gishtin e mesit në mëngjes, gjatë ditës ose disa orë para gjumit. Shmangni fërkimin dhe tërheqjen e lëkurës rreth syve gjatë larjes ose pastrimit të fytyrës, pasi lehtësisht mund të shkaktoni inflamacion, pigmentim dhe lëshim të lëkurës delikate rreth syve.

Aplikimi i retinolit gjatë ditës

Retinoli është një nga përbërësit më të fuqishëm për korrigjimin e vijave të holla, rrudhave, akneve dhe rigjenerimin në nivel qelizor. Prandaj, retinoli duhet të përdoret gjatë natës, kur lëkura është më e disponueshme për rigjenerim. Nga ana tjetër, retinoli në kombinim me diellin mund të djegë dhe dëmtojë lëkurën.