Puçrrat tek të rriturit

Puçrrat tek të rriturit

Çfarë i shkakton ato?

Shqetësimi kryesor i grave në të 40-at janë linjat e holla rreth syve dhe rrudhat në fytyrë, por pas pandemisë Covid ato kanë një shqetësim shtesë: PUÇRRAT!
Studim i ,,Journal of Cosmetic Dermatology’’ në dhjetor 2011, tregoi se 45% e grave raportuan përkeqësim të puçrrave, 27% vërejtën përmirësim të gjendjes me puçrrat, e në vijim një përkeqësim të papritur, ndërsa 7% e tyre janë ballafaquar me puçrrat për herë të parë.

Vitet e tridhjeta paralajmërojnë luhatje hormonale tek gratë të cilat shpesh rezultojnë me paraqitje të puçrrave. Por, numri i rasteve të tilla është në rritje dhe vjen kryesisht si pasojë e mbajtjes së maskave mbrojtëse dhe stresit të shtuar gjatë pandemisë.

Puçrrat janë jashtëzakonisht të paparashikueshme, veçanërisht tek të rriturit dhe kjo e ndërlikon trajtimin e tyre. Nëse në vitet e adoleshencës shfaqen si rezultat i bllokimit sipërfaqësor të poreve, në vitet e pjekurisë infeksioni është më serioz, bllokimi është më i thellë dhe shfaqen puçrra të dhimbshme në mjekër, në vijën e nofullës dhe në pjesën e sipërme të qafës.

Definitivisht është pakujdesi që t’i trajtoni puçrrat në mënyrë agresive duke i shtrydhur ato. Duhet të jeni detektivë të mirë, sepse hormonet nuk janë vazhdimisht aktive, kurse puçrrat në fytyrë mund të zgjasin një vit të tërë.

Dermatologët dallojnë 4 shkaktarë kryesore për paraqitjen e puçrrave tek të rriturit:

PILULA KONTRACEPTIVE

Puçrrat janë një simptomë normale e SPM e cila mund t’ju ndjekë deri në menopauzë. Por, nëse e keni shprehi të merrni herë pas here pilula kontraceptive, mund të përballeni me një infeksion më serioz. Për ta sqaruar, pilulat vetvetiu nuk shkaktojnë puçrra, përkundrazi, duke i konsumuar rregullisht do të mund t’i kontrolloni; por, lëkura bëhet e ndjeshme dhe e prirur ndaj puçrrave në momentin e ndalimit të konsumimit të pilulave kontraceptive. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që ju duhet të merrni pilula kontraceptive përjetësisht. Por, nëse doni të hiqni dorë nga ato, bëjeni gradualisht.

STRESI

Lidhja midis puçrrave dhe ankthit është e qartë: Kortizoli nxit infeksionin dhe shkakton puçrra të thella. Fytyra në mënyrën e saj tregon se gjërat në jetë nuk janë nën kontrollin tuaj. Më e pakta që mund të bëni në këtë rast është t’i siguroni lëkurës 8 orë gjumë në mënyrë që të përballojë më lehtë presionin. Nëse vuani nga pagjumësia, atëherë bëni ushtrime për të stimuluar qarkullimin dhe për të reduktuar kortizolin.

TË USHQYERIT

Një sasi e shtuar e karbohidrateve dhe sheqerit të përpunuar, shkakton shfaqjen e puçrrave. Shkaktarë të infeksionit janë edhe produktet e qumështit, por jo tek të gjitha femrat. Njerëzit reagojnë ndryshe ndaj ushqimit dhe janë të ndjeshëm ndaj llojeve të ndryshme të produkteve, por skuqja e lëkurës është një simptomë e qartë e një infeksioni që ka sulmuar trupin. Nëse dyshoni se disa ushqime janë shkaktarë të mundshëm të puçrrave, kontrolloni ata ashtuqë do t’i eliminoni nga dieta juaj dhe do t’i prisni me durim ndryshimet pozitive në lëkurën tuaj.

Dermatologu Dr. Harold Lancer ka përcaktuar një listë të ushqimeve që duhen shmangur, por çdo lëkurë është histori më vete, prandaj provoni se çfarë funksionon për ju.

• Hiqni dorë nga karbohidratet e thjeshta si patatet, makaronat, buka dhe orizi i bardhë, pasi ata rrisin shpejt nivelet e sheqerit gjë që çon në inflamacion. E njëjta gjë vlen edhe për ëmbëlsirat dhe tortat.

• Mos e teproni me kafen, pasi ajo e shtyn trupin në gjendje stresi, që nënkupton tajitjen e kortizolit, i cili është një shkaktar i dëshmuar i puçrrave. Ruani nivelet e energjisë përmes një diete të pasur me karbohidrate komplekse si frutat, perimet dhe makaronat me drithëra të plota.

• Zëvendësoni produktet e qumështit me alternativa të tjera nëse fytyra është vazhdimisht e puçërruar. Qumështi i lopës mund të përmbajë hormone steroide që e përkeqësojnë inflamacionin dhe mund të nxisin puçrra. Qumështi i bajames, sojës, kokosit ose tërshërës janë alternativa të mira.

PRODUKTET KOZMETIKE

Faktori përfundimtar i puçrrave tek të rriturit: Ajo që e vendosni në fytyrën tuaj! Hidratuesit e pasur mund të bllokojnë poret dhe të shkaktojnë puçrra në fytyrë. Hapi më themelor që duhet ta ndërmerrni? Kërkoni produkte që janë testuar në lëkurë të prirur ndaj puçrrave, ata që nuk përmbajnë përbërës të cilët i shkaktojnë ato, si: gjalpi i kakaos, gjalpi shea ose vazelina.